Drejtësia

Dosja ‘Partizani’, pranohet kërkesa e Berishës për thirrjen e Ramës si dëshmitar

Gazeta Si – GJKKO ka pranuar kërkesën e disa prej të pandehurve, përfshirë dhe Sali Berishën për t’u pyetur edhe kryeministri Edi Rama si dëshmitar në gjyqin që po zhvillohet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv, “Partizani”.

Gjykata, pasi ka dëgjuar kërkesën për prova të palëve, ka vendosur të pranojë provat shkresore dhe po ashtu ka pranuar që të pyetën si dëshmitarë ata që janë listuar në kërkesën e prokurorisë dhe ata që ka kërkuar kreu i PD.

Një nga dëshmitarët që Berisha ka kërkuar, është edhe kryeministri Edi Rama, kërkesë që GJKKO e ka pranuar.

Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, të dy të pandehur nga SPAK, kanë pretenduar se ka qenë Rama ai që ka firmosur ndyshimin e destinacionit të truallit nga terren sportiv, për ndërtim. Ndërsa nuk u pranua kërkesa tjetër për thirrjen si dëshmitar të oficerit të BKH, Besmir Karanxha.

Në fakt, seanca e radhës (30 prill 2026) për aferën “Partizani”, pritet të nisë me dëshmitë e 7 personave, ku i pari në radhë është thirrur deputeti i PS, Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit.

Në total, SPAK bëri kërkesë për thirrjen e 11 personave në seancë në cilësinë e dëshmitarit, ku mes tyre janë dhe biznesmeni Paro Laçi, Albert Xhani dhe Isa Tare, ish-drejtues të klubit sportiv “Partizani”

Ish-kryeministri përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me veprime të dyshuara të paligjshme.

Po ashtu, prokuroria ka ngritur akuza edhe ndaj Xhimi Begeja, ortak i Malltezit dhe Andia Pustina, financiere në kompaninë “Homeplan”, të cilët dyshohen për përfshirje në skema të pastrimit të parave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë