Gazeta Si – “I zgjuar si dhelpër” apo “thjesht i çmendur”? Pas shpërthimeve të fundit të presidentit Trump – një postim në “Truth” që e krahasonte veten me Jezusin shërues, i cili shkaktoi zemërim midis bazës së tij thellësisht fetare, është fshirë që atëherë – debati mbi shëndetin mendor të presidentit amerikan, tashmë një klasik në historinë presidenciale (Biden sulmohej çdo ditë tjetër), është rikthyer.
Sjellja e çrregullt dhe komentet ekstreme të Trump kanë qenë një shoqërues i vazhdueshëm në skenën politike për të paktën një dekadë.
Nga kërcënimi për ta fshirë Iranin nga harta e Lindjes së Mesme (“një qytetërim i tërë do të vdesë sonte”), deri te fyerjet ndaj Papës, “I DOBËT në krim dhe i tmerrshëm në politikën e jashtme”, përshtypja është, siç shkruan “New York Times”, se ai tani është një “autokrat i pabalancuar, i verbuar nga pushteti”.
Shtëpia e Bardhë, sigurisht, ka qëndruar e vendosur dhe i ka mohuar akuzat. Ai e quan veten “gjeni”, duke shpjeguar se ka kaluar çdo test njohës.
Demokratët, të cilët prej kohësh e kanë vënë në pikëpyetje shëndetin psikologjik të Trumpit, kanë nisur një kor të ri për të thirrur Amendamentin e 25-të dhe për ta larguar presidentin nga Shtëpia e Bardhë “për paaftësi”.
Ky shqetësim nuk shprehet vetëm nga figura të krahut të majtë, komedianë të “talk show”-ve ose profesionistë të shëndetit mendor, të cilët merren me diagnoza në distancë.
Tani është një mendim i përhapur edhe midis gjeneralëve në pension, diplomatëve dhe zyrtarëve të huaj. Dhe midis ish-aleatëve të presidentit.
Një sondazh i “Reuters/Ipsos” shkurtin e kaluar, zbuloi se afërsisht 61% e të anketuarve e konsideronin Trumpin “gjithnjë e më të paparashikueshëm me moshën”, një ndjenjë që u pasqyrua jo vetëm nga një pjesë e madhe e votuesve demokratë dhe të pavarur, por edhe nga një pjesë e konsiderueshme e republikanëve.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rënie në numrin e njerëzve që e përshkruajnë presidentin si “mendërisht të mprehtë dhe të aftë për t’u përballur me sfida komplekse”: ky perceptim ka rënë nga 54% në shtator 2023, në 45% sot.
Sipas Robert Reich, i cili shërbeu si Sekretar i Punës nën administratën Bill Clinton, “nëse Trump ishte racional më parë, ai nuk është më”.
Ish-deputetja republikane
Ish-përfaqësuesja republikane Marjorie Taylor Greene nga Xhorxhia, e cila kohët e fundit u nda nga Trump, mbështeti Amendamentin e 25-të, duke i thënë CNN se kërcënimi për të shkatërruar qytetërimin iranian nuk ishte “retorikë e ashpër, por çmenduri”.
Candace Owens, një podkastere e ekstremit të djathtë, e quajti atë një “të çmendur gjenocidal”. Alex Jones, një teoricien konspiracioni dhe themelues i “Infowars”, tha se Trump “po flet pa lidhje; duket se truri i tij nuk po funksionon siç duhet”.
Besnikëria e Kongresit
Mospajtimi në të djathtën amerikane nuk ka arritur në Kongres, ku ligjvënësit republikanë i qëndrojnë besnikë presidentit, as në kabinetin e tij, i cili do të duhej të miratonte Amendamentin e 25-të nëse do ta bënte këtë – një ide shumë larg realitetit.
“Trump e di saktësisht se çfarë po bën”, shkroi Liz Peek, një kolumniste për “The Hill” dhe një kontribuese në “Fox News“, e cituar gjithashtu nga “New York Times”.
“Trump do të vazhdojë të përdorë presion maksimalist (dhe nganjëherë të egër) ushtarak dhe diplomatik në fushatën e tij për të çliruar Lindjen e Mesme nga fushata gati pesëdhjetëvjeçare e terrorit të Iranit”.
“Është plotësisht i çmendur”
Trump është “një person jashtëzakonisht i sëmurë”, thotë me zë të lartë senatori, Chuck Schumer i Nju Jorkut; ai është “i çmendur” dhe “jashtë kontrollit”, shton përfaqësuesi Hakeem Jeffries i Nju Jorkut.
Ai është “plotësisht i çmendur”, thotë me besim përfaqësuesi, Ted Lieu i Kalifornisë. Përfaqësuesi Jamie Raskin i Merilendit i ka shkruar mjekut të Shtëpisë së Bardhë duke kërkuar një vlerësim, duke vënë në dukje “shenja në përputhje me demencën dhe rënien njohëse” dhe shpërthime të tërbimit “gjithnjë e më të paqëndrueshme vulgare, delirante dhe kërcënuese”.
Diskutimi para Kombit
Tema e shëndetit mendor doli me forcë në debatin publik në prag të fjalimit para Kombit në shkurt, gjatë të cilit Trump mbajti fjalimin e tij më të gjatë ndonjëherë para Kongresit, duke kërkuar të lavdëronte arritjet e administratës së tij dhe të galvanizonte elektoratin e tij.
Pakënaqësia e përhapur me performancën e tij – në çështjet ekonomike, politike dhe institucionale – po nxit gjithashtu dyshime rreth aspekteve të aftësisë së tij udhëheqëse.
Nobeli për paqen
Në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump pranoi medaljen e Çmimit Nobel për Paqen nga María Corina Machado, udhëheqësja e opozitës venezueliane, e cila u vlerësua në dhjetor, sikur të ishte një çmim i vërtetë i destinuar për të.
Miliarderi ka kohë që pohon se ai duhet të vlerësohet nga komiteti i Olsos. “Trump jeton në një botë të krijuar nga vetja”, shpjegoi historiania dhe psikologia franceze, Elisabeth Roudinesco, biografe e “Sigmund Freud” dhe Jacques Lacan, për “Le Grand Continent”, “të cilën ai dëshiron të jetë identike me dëshirën e tij për plotfuqishmëri dhe kënaqësi personale. Ai nuk bën shaka kur organizon një ceremoni për të marrë një Çmim Nobel imagjinar: ai e jeton vërtet skenën, ai beson në të. Ajo e tij është një iluzion madhështie i bazuar në kultin e egos. Trump është një showman narcisist, aq më i rrezikshëm sa i nënshtrohet rrethi i tij”.
Presidentët e tjerë amerikanë
Kjo nuk është hera e parë, siç e përmendëm, që shëndeti mendor i një presidenti është vënë në pikëpyetje.
John Adams, Andrew Jackson dhe të dy Roosevelt-ët u akuzuan për paqëndrueshmëri mendore nga kundërshtarët e tyre politikë.
Abraham Lincoln luftoi me depresionin. Woodrow Wilson nuk ishte më kurrë i njëjti pas një goditjeje në tru.
Lyndon B. Johnson luhatej midis energjisë maniake dhe momenteve të melankolisë së thellë. Ronald Reagan dukej se e humbi qetësinë drejt fundit të presidencës së tij dhe shumë pyesnin veten nëse sëmundja e Alzheimerit, e shpallur vite më vonë, kishte filluar të manifestohej tashmë.
Disa admirues të Trump e kanë krahasuar atë me Nixonin, i cili mbështeti të ashtuquajturën “teori të të çmendurit”: ai i udhëzoi Henry Kissinger-in, këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, i cili po drejtonte negociatat e paqes në Vietnam, t’u thoshte negociatorëve se presidenti ishte i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm, si një mjet negociues, me qëllim që të siguronte një marrëveshje më të mirë. Megjithatë, privatisht, disa nga këshilltarët e Niksonit nuk besonin se kjo ishte një hile.
Edhe Trump është përpjekur të shfrytëzojë paqëndrueshmërinë e tij psikologjike. “Bëjini të mendojnë se jam i çmendur”, i tha ai Nikki Haley, ambasadores së tij në Kombet e Bashkuara gjatë mandatit të tij të parë, duke iu referuar koreano-veriorëve.
“A e dini se cili është sekreti i një cicërime vërtet efektive?” e pyeti ai dikur William P. Barr, atëherë prokurorin e tij të përgjithshëm. “Sasia e duhur e çmendurisë”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje