Nga Gazeta ‘Si’- Luhatjet e çmimit të “dated Brent”, standardi global për naftën fizike, po i shtyjnë analistët e energjisë të paralajmërojnë se tensioni i lartë në tregun real të naftës nuk po jep shenja zbutjeje, mes shqetësimeve për një armëpushim të brishtë në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë që tregjet vazhdojnë të ndjekin me vëmendje ndërprerjet e transportit përmes Ngushticës strategjike të Hormuzit, është krijuar një hendek i paprecedentë mes çmimit të “dated Brent” dhe kontratave futures të afërta.
Kjo sinjalizon se furnizimet pritet të mbeten të kufizuara për një periudhë të gjatë.
Çmimi spot i “dated Brent”, që i referohet ngarkesave fizike me dorëzim nga 10 ditë deri në një muaj, arriti në 131.97 dollarë për fuçi të enjten pasdite(9 prill) sipas të dhënave të Platts.
Kjo përfaqëson një rritje mbi 7% nga dita e mëparshme, por mbetet nën rekordin prej 144.42 dollarësh të regjistruar të martën, pak para shpalljes së një armëpushimi dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit.
Ndryshe nga kontratat financiare, “dated Brent” pasqyron çmimin real të naftës në tregun fizik, pasi bazohet në oferta, kërkesa dhe transaksione konkrete.
Ndërkohë, kontratat futures të Brent për dorëzim në qershor u tregtuan rreth 96.5 dollarë për fuçi, një rritje modeste krahasuar me lëvizjet shumë më të forta në tregun fizik.
Sipas ekspertëve, ky diferencim i madh tregon se tregu po përballet me mungesë reale furnizimi, jo thjesht me rrezik gjeopolitik. Edhe pse armëpushimi ka ulur përkohësisht çmimet, presioni bazë mbetet i fortë.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz, mbetet thuajse e bllokuar.
Ekspertët e transportit detar paralajmërojnë se normalizimi i trafikut mund të zgjasë javë apo edhe muaj.
Analistët theksojnë se nëse rafineritë shtyjnë blerjet duke pritur rënie çmimesh, ndërkohë që furnizimet reale mbeten të kufizuara, mungesat mund të përkeqësohen edhe në rast uljeje të tensioneve.
Ky zhvillim ka krijuar një “shkëputje” të pazakontë mes tregut fizik dhe atij financiar të naftës. Sipas ekspertëve të Morgan Stanley, çmimet e “dated Brent” reflektojnë vlerën reale të naftës që transportohet aktualisht, ndërsa kontratat futures janë instrumente financiare që nuk pasqyrojnë menjëherë të njëjtin presion.
Kjo situatë tregon se goditja më e fortë po ndjehet në furnizimet reale dhe të menjëhershme.
Ndërkohë, kjo krizë ka prishur edhe marrëdhëniet tradicionale të çmimeve mes llojeve të ndryshme të naftës.
Për shembull, nafta amerikane WTI ka kaluar përkohësisht Brent me diferenca të pazakonta, ndërsa nafta ruse Urals është tregtuar mbi Brent- një përmbysje e plotë e trendeve të zakonshme.
Po ashtu, Arabia Saudite ka rritur ndjeshëm çmimin premium për naftën e saj Arab Light, duke arritur nivele rekord.
Në tërësi, këto zhvillime tregojnë një treg nafte nën presion ekstrem dhe me pasiguri të lartë, ku rreziku operacional po mbetet më i fortë se ai gjeopolitik./ CNBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje