Politike

PS rrëzon pr.ligjin për uljen e taksave të naftës, Bozdo: Shqipëria nuk zotëron rezerva

Nga Gazeta ‘Si’- Mazhoranca rrëzoi kërkesën për procedurë të përshpejtuar të projektligjit të PD për uljen e çmimit të naftës.

Deputeti i PD Eno Bozdo ndërsa prezantoi këtë projektligj tha se Shqipëria sipas tij duhet të bëjë ndërhyrje ligjore për uljen e taksave që rëndojnë sot në çmimin e naftës.

Bozdo tha se Shqipëria sot nuk ka asnjë rezervë dhe se qytetarët sot blejnë naftën më shtrenjtë se gjithë vendet e rajonit, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë.

“Shqipëria nuk zotëron asnjë gramë naftë rezervë të sigurisë strategjike; kryeministri pretendon të kundërtën. Jemi ndoshta i vetmi vend që s’kemi një rezervë të tillë, edhe pse legjislacioni e ka me detyrim. Qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe kjo ndodh gjithmonë. Në këtë pikë, lutemi që kriza mos të thellohet dhe mos të marrë ndonjë urdhër për lirimin e rezervave të naftës, që dihet të jenë 90 ditë, ndërsa sot janë 0 ditë. Të gjitha vendet e tjera të rajonit i kanë këto rezerva.

Projektligji ofron mundësinë, hap derën për ndërhyrje ligjore në raste krizash, që i lejon qeverisë të shoqërojë uljen e taksave që rëndojnë në çmimin e naftës, si ajo e qarkullimit që qytetarët e paguajnë dy herë, ose ndryshe taksa e karbonit, duke e bërë çmimin e naftës shumë të shtrenjtë. Nëse i eliminojmë këto taksa, do të mund të krahasohemi me Maqedoninë dhe Kosovën. Këto vende pa det e tregtojnë naftën 30-40% më lirë.

Një tjetër mekanizëm që sjell projektligji është ai që të implementohet modeli i akcizës së lëvizshme që përdoret sot nga Italia. Çdo tepricë e TVSH-së që vjen nga rritja e krizës, që derdh më shumë para të pamerituara në arkë, shkon për të ulur akcizën në të njëjtën masë. Ky mekanizëm merr në dorë menaxhimin e rezervës.

Ky projektligj kërkohet me urgjencë, sepse jemi i vetmi vend që s’kemi marrë asnjë masë konkrete për amortizimin e çmimit të naftës. Kjo ngjan me përballimin e krizës së Covid. Bordi është vullnet politik i kryeministrit”, tha Bozdo.

Pas rrëzimit të kërkesës, Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se sipas tij mazhoranca e trajton opozitën me urrejtje, ndërsa i dha edhe një këshillë Peleshit.

“Opozitën e trajtoni me urrejtjen më të madhe! Një datë të kërkojmë ne, ju votoni kundër! Luani rolin tuaj si mbi palët, si moderator i debatit dhe s’bëni gabim që një herë të vetme në 6 muaj t’i kërkosh kolegëve ta mbështesë kërkesën e opozitës ose të paktën ndiq modelin e Lindita Nikollës dhe Elisa Spiropalit, dil njëherë nga rreshti se s’të gjen gjë! Një datë po kërkojmë!”, tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë