Nga Gazeta ‘SI’ – Kreditimi për sektorin privat në Shqipëri vijoi të zgjerohet me ritme të larta gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025 dhe në muajin janar 2026.
Të dhënat e Banka e Shqipërisë tregojnë se bankat kanë vijuar të japin kredi me ritme të larta në fund të vitit 2025 dhe në muajin janar. Megjithatë, krahasuar me muajt e mëparshëm, ritmi i rritjes duket se po zbutet gradualisht.
Kjo ecuri është ndikuar nga një kërkesë e lartë financimi nga bizneset me qëllime investimi, me rritje vjetore që 11.6%. Në janar, veçanërisht, kredia për investime shënoi rritje 14.6%. Në të kundërt, kredia për likuiditet u ngadalësua në 6.1%.
Në segmentin e individëve, kreditimi vijoi të rritet me ritme të larta, por me një tendencë të lehtë ngadalësimi. Rritja ishte 18.9% në tremujorin e katërt dhe 17.8% në janar 2026.
Ngadalësimi u ndikua kryesisht nga kredia për blerje banese, e cila përbën rreth 66% të këtij segmenti. Megjithatë, kreditimi për konsum dhe për banesa mbeti i fortë, me rritje respektivisht 18.5% dhe 16.5%, edhe pse më të ulëta krahasuar me tremujorin paraardhës.
Leku merr terren
Zgjerimi i kreditimit është udhëhequr kryesisht nga rritja e shpejtë e kredisë në monedhën vendase. Kredia në Lek u rrit me 16.7% në tremujorin e katërt të vitit 2025 dhe me 15.1% në janar 2026.
Normat më të ulëta të interesit për kreditë në Lek, politikat e bankave për të harmonizuar monedhën e kredisë me të ardhurat e huamarrësve, si dhe ndërgjegjësimi më i lartë i publikut për rrezikun e kursit të këmbimit, kanë nxitur këtë tendencë. Si rezultat, kredia në Lek përbën tashmë 58.2% të portofolit total të kredisë për sektorin privat.
Nga ana tjetër, kreditimi në valutë vijoi të rritet me ritme të qëndrueshme, rreth 12.4%, por mbetet më i ngadalshëm krahasuar me atë në Lek.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje