Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla iu përgjigj akuzave të opozitës sipas të cilave mazhoranca po i mohon të drejtën për të sjellë nisma ligjore në Parlament.
Sipas Ballës, deputetët e PD të cilët i cilësoi si ‘dashnorët e rinj’ të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, prej shtatorit kur ka nisur legjislatura e re, nuk kanë dhënë asnjë votë pro ligjeve që kanë kaluar në Kuvend sa i përket procesit të anëtarësimit në BE.
“Ju thoni që mazhoranca ju ka mohuar të drejtën që ju të sillni nisma ligjore. Unë e ndjek me kërshëri Bundestagun gjerman, nuk di që ata të CDU-CSU miratojnë nisma ligjore që vijnë nga AfD apo Green. Ju thoni, ne të sjellim ca propozime dhe ju na i miratoni. Po jua them, jemi të gatshëm t’ju miratojmë edhe juve propozime, por jo me dhunë”, tha Balla, duke i ftuar demokratët të sjellin propozime ligjore, t’i prezantojnë dhe t’i diskutojnë sëbashku.
Mandej ai u shpreh se mazhoranca nuk e ha presionin e PD-së për miratimin me ngulm të propozimeve të tyre për ligje.
Më tej kryetari i parlamentit Niko Peleshi hodhi në votim për datën 14 maj diskutimin për zhvillimin e mocionit për debat.
Me shumicë votash, u miratua mocioni me debat, për raportin e DASH, për klimën e investimeve në Shqipëri.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se miratimi është sipas tij plotësisht në shkelje të rregullores së Kuvendit.
“Është tërësisht në shkelje të rregullores së Kuvendit. Rregullorja ju detyron të propozoni kur s’ka mirëkuptim, një datë që s’mund të jetë më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit. S’e di si e llogarisni 30 ditë 5 muaj sepse kërkesa jonë është e datës 5 nëntor 2025. Ju vini me propozim që mocioni të zhvillohet në javën e parë, të dytë apo të tretë të majit. Kjo është shkelja juaj personale. Ju vazhdoni në çdo seancë të shkelni rregulloren”, tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje