Politike

Nga bujqësia tek arsimi e turizmi, çështjet që do diskutohen në Kuvend

Nga Gazeta ‘Si’– Seanca e radhës plenare e Kuvendit do të mbahet sot (9 prill) duke nisur me një ‘përballje’ mes deputetit Erion Braçe dhe ministrit të Bujqësisë, Andis Salla.

Diskutimi pritet të fokusohet te problemet që lidhen me sektorin e qumështit, nga prodhimi deri te shitja në treg.

Kjo nismë vjen në një situatë të tensionuar për blegtorët, të cilët prej kohësh po shprehin pakënaqësi për mungesën e mbështetjes financiare.

Sipas tyre, mënyra e re e shpërndarjes së subvencioneve nuk është në favor të tyre dhe nuk i ndihmon realisht në përballimin e vështirësive.

Pas kësaj interpelance, në rend dite është edhe një seancë pyetjesh drejtuar ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro. Kërkesa është bërë nga deputetja Erisa Xhixho, e cila ka ngritur shqetësimin për diferencat në trajtimin financiar të mbi 11 mijë punonjësve të arsimit.

Në të njëjtën mbledhje do të shqyrtohen edhe disa nisma ligjore të rëndësishme, përfshirë projektligjin për zhvillimin e porteve turistike, atë për forcimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe propozimin për ngritjen e një komisioni hetimor për ARRSH dhe AKSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë