Rend dhe Ligj

SPAK, kontrolle për celularë në qelitë e Veliajt dhe Beqajt në burgun e Durrësit

Gazeta Si – Me urdhër të SPAK, agjentët e BKH-së, kanë ushtruar kontrolle të befasishme për identifikimin e pajisjeve celulare të paligjshme në burgun e “politikanëve” në Durrës, ku disa prej tyre akuzohen për korrupsion, pastrim parash e shpërdorim detyre.

Sipas burimeve paraprake, kontrollet janë zhvilluar edhe në qelitë ku ndodhen të paraburgosur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj apo dhe ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, por nuk është konstatuar asnjë send i kundërligjshëm.

Gjithnjë sipas burimeve, bëhet me dije se kërkesa e prokurorëve të posaçëm drejtuar policisë së burgjeve për kontroll, vjen pas përplasjeve në Gjykatën Administrative, ku kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, ka paditur mënyrën se si është emëruar në detyrë njëri nga prokurorët e çështjes, Ols Dado, duke pasur përplasje të shpeshta me të për gjyqin që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.

Po ashtu, mësohet se është kërkuar edhe lista e takimeve të personave që takoi Veliaj. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera, ndërsa kontrollet konsiderohen pjesë e verifikimeve për parandalimin e komunikimeve të paligjshme brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Po ashtu, kontrollet vijnë një javë pas emërimit nga qeveria të Adriatik Kupit në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, i cili zëvendësoi Klevis Qosen pas 2 vitesh në këtë detyrë.

Erion Veliaj, i cili ndodhet i paraburgosur në Durrës prej 10 shkurtit 2025, akuzohet nga SPAK për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave. Në të njëjtën çështje janë të përfshirë edhe 16 persona të tjerë.

Ndërsa ish-ministri Ilir Beqaj, u arrestua në fillim të muajit korrik të vitit 2024, me dyshimet se ishte përfshirë në korrupsion dhe fshehje të pasurisë gjatë kohës kur drejtonte agjencinë SASPAC, e cila koordinon fondet e Bashkimit Europian në vendin tonë. Nga ana tjetër Beqaj është i pandehur edhe për dosjen mbi koncensionin e “Sterilizimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë