Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi qeverinë se nuk ka mbajtur asnjë qëndrim të përgjegjshëm në lidhje me krizën e karburanteve, duke theksuar se duhet të ndiqet shembulli i vendeve të rajonit.
Berisha tha se qeveria duhet të vendosë një regjim fiskal që qytetarët shqiptarë të mos shkojnë nga Elbasani për të mbushur serbatorin e benzinës në Strugë apo nga Shkodra në Mal të Zi.
Ai tha se vetëm nga rritja e çmimit në 220 lekë, shteti fiton 8 lekë për litër më shumë dhe ndërkohë sipas tij, po rëndon më shumë xhepat e qytetarëve.
“Tani, propaganda e tij, propaganda e mashtrimit, kërkesave tona për përgjysmimin e taksave u përgjigjet me mashtrimin se çmimet kanë qenë po kaq të larta gjatë periudhës tonë. Mashtrim i turpshëm. Unë kam këtu këto të dhëna.
Me 7 prill të vitit 2013, nafta në bursën ndërkombëtare ishte 97 dollarë, në tregun shqiptar është shitur me 140 lekë.
Me 7 prill të vitit 2022, nafta në bursë ka qenë 97.2 dollarë, pra e njëjtë, në Shqipëri është shitur me 228 lekë.
Nafta në bursë çmimin më të lartë nga viti 2005 gjer sot e ka pasur në vitin 2008, as në periudhën e Covid-it, as në periudhën e Pranverës Arabe. Ishte viti kur nafta arriti 147 dollarë për shkak të rritjes së kërkesës në bursë.
Dhe në verën, në kulmin e kësaj, nafta në Shqipëri shitej 150-160 lekë. Ai nuk ka asnjë lloj cipe”, tha Berisha.
Më tej, iu bëri thirrje qytetarëve që të dalin në shesh më 17 prill, që të protestojnë kundër vjedhjeve.
“Këta dinë vetëm të vjedhin. Më 17 prill është data e shqiptarëve. Është dita, për të cilën shqiptarët ëndërrojnë Europën. Ky sistem kriminal, që njeh vetëm vjedhje meriton një ndëshkim nga ju qytetarë”, u shpreh Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje