Nga Gazeta ‘Si’- Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, deklaroi sot se, “në tre komisione, do të shqyrtohet me shpejtësi projektligji i porteve, me urdhër për ta kaluar në seancën e së enjtes”.
Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, Zhupa theksoi se legjislacioni për portet turistike përcakton që ndërtimi i tyre realizohet përmes procedurave koncesionare.
“Ndryshimi i propozuar synon të lejojë që subjektet që gëzojnë statusin e “Investitorit Strategjik” të mos jenë të detyruara t’i nënshtrohen këtij procesi”, deklaroi ajo.
“Sipas draftit, në rast se një kompani ka marrë statusin e “Investitorit Strategjik” nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), dhe ndërtimi i portit është pjesë e projektit të saj, ajo përjashtohet nga detyrimi për konkurrim të hapur. Në praktikë, kjo nënkupton që zhvilluesi i një resorti privat përfiton automatikisht të drejtën për të ndërtuar dhe menaxhuar edhe portin përkatës”, theksoi Zhupa.
Deputetja demokrate shtoi se, me ndryshimet e reja ligjore, porti turistik mbetet pronë e përhershme e investitorit privat.
“Edhe pse këto porte konsiderohen si pasuri me interes publik, projektligji parashikon që procedurat dhe kriteret për lidhjen e kontratave me investitorët strategjikë do të përcaktohen përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave. Kjo, praktikisht, e zhvendos procesin nga një garë e hapur në një marrëveshje direkte mes qeverisë dhe subjektit privat”, tha ajo.
Zhupa u shpreh se kjo situatë ngre shqetësime lidhur me mungesën e konkurrencës dhe transparencës, si dhe hap debat mbi përfitimin afatgjatë.
Deputetja theksoi se ligji që duan të kalojnë me shpejtësi është antikushtetues.
“Përjashtimi i një kategorie subjektesh (investitorët strategjikë) nga detyrimi për procedurë konkurruese: krijon trajtim preferencial; kufizon aksesin e operatorëve të tjerë ekonomikë; cenon barazinë e mundësive në treg”, tha Zhupa.
Sipas saj, Shqipëria, ka detyrim kushtetues të harmonizojë legjislacionin me të drejtën e Bashkimit Evropian.
Nga sa më sipër, sipas Zhupës “rezulton se projektligji: cenon parimin e barazisë para ligjit; paralizon konkurrencën e lirë pa justifikim proporcional; shkatërron mekanizmat e transparencës dhe llogaridhënies; dhuron pronën publike, si portet, te një privat përjetësisht; bie ndesh me parimin e sigurisë juridike; krijon mospërputhje me angazhimet evropiane të Republikës së Shqipërisë”.
Për këto arsye, shtoi ajo, “Partia Demokratike do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, do të informojë Bashkimin Evropian dhe do ta ndjekë këtë çështje në vazhdimësi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje