Nga Gazeta ‘Si’- Konfederata e Industrive në vend ka ripërsëritur kërkesat e saj për qeverinë dhe rishikimin e politikës fiskale mbi naftën, e cila po tregtohet me 224 lekë/litër.
Me anë të një reagimi publik, Konfindustria shprehet se ekzekutivi duhet që të rishikojë në mënyrë të plotë politikën fiskale dhe rregullatore në tregun e karburanteve, për të shmangur një recesion të mundshëm.
“Vlerësimet e modelit ekonomik shqiptar tregojnë, që rritja me 30% e çmimit të derisotëm të karburanteve krijon inflacion me të paktën 6% dhe një rënie të PPB me 2.8-3%”, thuhet në njoftim.
Masat që propozon Konfederata janë ulja e barrës fiskale mbi karburantet, ulja e taksës vjetore mbi automjetet, si dhe të fillojë procesi i shndërrimit të Bordit të Transparencës në Ent Rregullator të Karburanteve.
“Së pari, kërkohet ulja e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të automjeteve të paktën në mesataren e sotme të shteteve të Rajonit. Shqipëria është shteti i vetëm në rajon, që nuk ka ndërmarrë asnjë masë të prekshme lehtësuese për krizën e karburanteve. Ndërhyrja me ulje 20% të vlerës së akcizës vetëm, kur çmimi i naftës do të arrijë në 220 lekë/litër është i pamjaftueshëm dhe i pakuptimtë. Thellimi i diferencës në kostot e karburanteve me shtetet konkurrente tregtare të Rajonit e më gjerë në kushtet e krizës, shton ndjeshëm rrezikun e falimentimeve për industritë, prodhimin vendor, bizneset si dhe goditje inflacioniste të shumëfishtë për qytetarët.
Së dyti, të fillojë procesi i shndërrimit të Bordit të Transparencës në Ent Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm profesional kundër spekulimeve në tregun kartel të sotëm. Së treti, Konfindustria mbështet propozimin për krijimin e një operatori me kapital shtetëror në tregun me shumicë dhe pakicë të karburanteve. Tregu strategjik i karburanteve me një qarkullim real vjetor prej pothuaj 2 miliard dollarë dhe kap afër 10% të PPB”, argumenton Konfindustria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje