Treg

Bordi i Transparencës rrit sërish çmimin e naftës, shkon 224 lekë për litër

Gazeta Si – Bordi i Transparencës ka vendosur më 3 prill 2026 çmimet e reja të shitjes së karburanteve në tregun vendas, në zbatim të aktit normativ për uljen e akcizës me 20%.

Bordi vendosi që shitja me pakicë e naftës të mos jetë më shumë se 224 lekë për litër, ndërsa benzina jo më shumë se 181 lekë për litër.

Ky çmim i lartë i naftës vjen edhe pas zbatimit të Aktit Normativ të miratuar sot për uljen e nivelit të akcizës me 20 %, ose e thënë ndryshe, bashkë me TVSH ulja përllogaritet në 9.5 lek/litër.

Sipas përllogaritjeve, çmimi i naftës për shitjen me pakicë në pikat e karburanteve është rritur me 6 lekë për litër, ndërsa çmimi i benzinës mbetet i prandryshuar krahasuar me vendimmarrjen e 28 marsit të Bordit të Transparencës.

Ndërkohë me shumicë nafta nuk do të shitet më shumë se 212 lekë për litër, ndërsa benzina jo më shumë se 169 lekë për litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 3 ora 20.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i bën thirrje çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi, duke paralajmëruar se në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë