Rend dhe Ligj

Kanabisi në magazinat e drejtorit të burgut Rrogozhinë, pezullohen 7 policë në Peqin

Gazeta Si – Shtatë punonjës të policisë janë pezulluar nga detyra pas zbulimit të 2 magazinave ku ishte kultivuar kanabis në Peqin.

Ambientet ishin në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, por rezultoi se përdoreshin nga vëllai i tij. 

Të pezulluar janë: Komisar Altin Gusho, Komisar Danjel Kacaniku, Nënkomisar Sefer Dushku, Inspektor Muharrem Zylyfi, Nënkomisar Bilbil Lita, Komisar Denis Sinani dhe Inspektor Arben Koseni.

Masat u bënë prezente nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë paradites së sotme, në një mbledhje të zhvilluar në DPPSH, me gjithë drejtorët vendorë dhe ata të Kufirit.

Drejtori Hita u ka kërkuar prerë të gjithë drejtorëve masa të menjëhershme për të luftuar kultivimin e kanabisit, si dhe qëndrim të rreptë për cilindo punonjës policie që bëhet palë apo nuk përmbush detyrën.

Një ditë ps vetëdorëzimit, policia liroi nga qelia më 20 mars, drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, pasi hetimet paraprake nuk kanë gjetur lidhje të tij me dy magazinat ku u sekuestruan rreth 4 mijë rrënjë kanabis. Hasa do të hetohet në gjendje.

Ndërkohë, në kërkim është shpallur vëllai i tij, R.H, si dhe një përgjegjës i OSHEE-së, të dy të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

Nga një operacion policor u sekuestruan rreth 4 mijë rrënjë kanabis në dy magazina, në fshatin Kurtaj të njësisë administrative Gjocaj të Peqinit.

Në momentin që është ndërhyrë nga forcat e policisë, brenda ambienteve nuk është gjetur njeri. Por magazinat rezultonin në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.

Pas ngjarjes, ai u shpall në kërkim dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezulloi nga detyra. Më pas ai u vetëdorëzua. Megjithatë i ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë