Nga Gazeta ‘Si’- Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë gjatë një interpelance me ministren Delina Ibrahimaj në Kuvend, duke e cilësuar Korporatën e Investimeve si një “incenerator të dytë”.
Sipas Tabakut, ekzekutivi po e trajton pronën publike si “plaçkë lufte”, duke anashkaluar garën dhe transparencën përmes skemave që favorizojnë klientët e pushtetit.
Tabaku theksoi se ligji që krijoi Korporatën e përjashton atë nga procedurat e prokurimit publik dhe nga standardet e transparencës, duke krijuar një hapësirë ku “nuk ka garë, nuk ka tenderë dhe nuk ka llogaridhënie”.
Sipas saj, vendimet për pasuritë publike merren përmes marrëveshjeve të mbyllura, ndërsa institucionet shtetërore sillen sikur këto prona janë private.
“Është një mekanizëm privat, për të përvetësuar pronën publike. Nuk ka lindur si nevojë ekonomike, as si kërkesë e investitorëve, justifikimi për të tërhequr të huaj ishte fasadë për të mbuluar ngritjen e një shteti privat brenda shtetit. Kemi paralajmëruar se misioni i kësaj strukture ishte tjetërsimi i pasurisë kombëtare. 6 vjet nga krijimi i korporatës, është e qartë përse qeveria zgjodhi dhe ligj special për funksionimin e kësaj korporate. Qeverisë i duhej një hapësirë ku nuk ka garë, tendera publike e llogaridhënie. Korporata është përjashtuar nga ligjet publike. Cila është vlera e tregut e aseteve publike që janë në dispozicion te korporatës. Si përzgjidhen partnerët privatë dhe si garantohet që korporata nuk është partner me krimin?
Kush mban përgjegjësi për vendimet e korporatës? Si auditohet korporata, sa është numri i punonjësve, sa janë pagat, buxheti, shpenzimet e të ardhurat? Korporata është ndërtuar për të mbajtur larg investitorët e huaj dhe për të mbajtur afër klientët e qeverisë. Po krijohen ishuj paligjshmërie. Po përvetësohen provat publike për tu ndarë me pushtetin”, tha Tabaku.
Ministrja Ibrahimaj kundërshtoi pretendimet e deputetes së PD duke thënë se Korporata u krijua në vitin 2019 me qëllim që shteti të mos jetë pasiv në zhvillimin e vendit, por të ketë rol aktiv.
Ajo shpjegoi funksionimin e këtij institucioni ndërsa tha se dhënia e pronave nuk bëhet sipas prokurimeve publike, por në bazë të ligjeve përkatëse.
Ibrahimaj theksoi gjithashtu se gjatë vitit 2024 korporata është fokusuar në zhvillimin e planeve të biznesit, ndërsa përdorimi i pronës shtetërore bëhet përmes partneriteteve me privatët, duke rritur vlerën e aseteve të degraduara sipas politikës së njohur ‘Shqipëria 1 euro’.
“Korporata e investimeve shqiptare u krijua në vitin 2019 dhe ka më shumë se 6 vite që funksion. Qëllimi ishte pasi ne duam që shteti të mos veprojë si pasiv në zhvillim, por të jetë aktiv dhe ta shohë pronën me një këndvështrim sipërmarrës.
Nuk kemi krijuar një model nga zero, korporata është krijuar në bazë të modeleve që funksionojnë në Europë. Është brenda një llogjike dhe vizioni të qeverisë për të gjeneruar të ardhura. Sa i takon menaxhimit, bëhet në 2 nivele, drejtori ekzekutiv dhe këshilli mbikëqyrës, pjesa më e madhe është e pavarur. Vetëm 2 nga 7 anëtarë të bordit janë funksionarë shtetërorë.
Gjithë korporata apo rregullat të funksionimit janë të bazuara në balancë, kontroll dhe pavarësi institucionale në vendimmarrje. Nuk kemi një centralizim. Gjatë 2024 korporata është përqendruar në zhvillimin e planeve të biznesit. Përdorimi i pronës shtetërore ka filluar që me politikën Shqipëria 1 euro, është një politikë e PD e vazhduar nga ne. Ai merr një pronë që është aset i degraduar me një vlerë të ulët dhe në partneritet me privatin e zhvillon pronën”, tha Ibrahimaj.
Në përgjigje të ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Tabaku deklaroi se shpjegimet e dhëna nuk kanë sqaruar qytetarët dhe se përdorimi i ekspertëve ndërkombëtarë po shërben vetëm si fasadë për vendime të paracaktuara.
Ajo solli në vëmendje rastin e Porto Romanos, duke theksuar se rekomandimet e ekspertëve janë anashkaluar në praktikë, ndërsa vendimet janë marrë në funksion të interesave të ngushta.
Sipas Tabakut Korporata e Investimeve duhet të shpallet organizatë e strukturuar kriminale, sepse të njëjtin dëm po i shkakton buxhetit të shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje