Drejtësia

Dosja ‘AMP’, ish-polici që u vra në Rinas u bë agjent pa shkuar asnjë ditë në punë

Gazeta Si – Agjentit të ri Muçi Shaljani iu caktua detyra e vëzhgimit, sapo nisi punën vetëm me letra, më 16 shtator të vitit 2025,

Nga ajo datë, për të paktën 2 muaj, deri më 11 nëntor, Shaljani nuk u paraqit asnjë ditë në punë, por paga ndaj tij nuk u ndërpre.

Do të kishte vazhduar deri në dhjetorin e kaluar, kur përfundonte kontrata 3-mujore, por një atentat mafioz i mori jetën në atentatin e 11 nëntorit pranë rreth-rrotullimit të Rinasit.

Vrasësit, të cilët qëlluan me breshëri ndaj makinës në ecje, kishin shënjëestër Gilmando Danin, i konsideruar krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili ishte pasagjer në automjetin e marrë me qira që drejtonte agjenti i AMP-së.

Në këto përfundime ka dalë Prokuroria e Tiranës, e cila ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy ish-zyrtarët të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me rastin e puënsimit të paligjshëm të Shaljanit më 12 nëntor 2025.

Ish-drejtori i përgjithshëm Artiol Saliasi dhe ish-drejtori i Financës dhe Shërbimeve mbështetëse, Gëzim Sala, dyshohet se mundësuan punësimin e Shaljanit në mënyrë të paligjshme.

Hetimet kanë zbuluar se Gëzim Sala përgatiti dokumentet, ndërsa Saliasi mori vendimin për të punësuar Shaljanin si agjent të AMP-së.

Për punësimin e Shaljanit nuk u krye asnjë prej procedurave të rregullta që parashikohen për punonjësit e tjerë duke filluar nga shpallja e vendeve vakante, krijimi i komisionit për kandidaturën, testimet, verifikimet përfundimtare apo vlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti.

Madje urdhri i punësimit ka në përmbajtje të tij motivimin “për nevoja emergjente”. Por nga marrja në pyetje e disa prej zyrtarëve të AMP, prokuroria ka dalë në përfundim se nuk ka patur asnjë nevojë emergjente për punësimin e Shaljanit.

Në datën 9 shtator u paraqit kërkesa zyrtare, më 16 shtator u lidhën detyrimet financiare. Që prej kësaj dite, Muçi nuk u paraqit asnjëherë në punë.

Të pandehurit kanë qenë të vetëdijshëm për punësimin e paligjshëm dhe futjen në AMP të një personi pa verifikim real.

Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani sapo ishin kthyer nga nga Spanja, kur ndaj tyre u bë atentat në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit.

Dani humbi jetën menjëherë, ndërsa Shaljani mbeti fillimisht i plagosur, por ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.

Gilmando Dani, i cili mendohet se ishte shënjestra e sulmit, ishte emër i njohur për drejtësinë, pasi njihej si pjesëtar i grupit të Emiljano Shullazit. 

Pak javë më parë, SPAK mori në dorë dosjen e atentatit të dyfishtë, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën, duke argumentuar se vrasja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë