Politike

Rama: Kompani publike për naftën në mbrojtje të konsumatorit

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama, tha se përmes krijimit të një kompanie shtetërore të naftës në Shqipëri, do të bëhet një transformim i thellë i aktivitetit në tregun e hidrokarbureve, duke synuar mbrojtjen e konsumatorëve.

Në Asamblenë e Partisë Socialiste të Njësisë 7 në Tiranë, Rama u ndal te rritja e çmimit të naftës, si rezultat i konfliktit në Lindjen e Mesme.

Duke folur për strukturën e çmimit të naftës, Rama sqaroi se nëse hiqet taksa e qarkullimit, çmimi i naftës do të bjerë, por të gjithë ata që kanë një automjet do të duhet të paguajnë 4-fishin e asaj që paguajnë sot.

Ndërkohë, Rama theksoi se ata që paguajnë sot më shumë janë ata që shpenzojnë më shumë naftë për qarkullim, pra ndotësit më të mëdhenj të ambientit.

“Përtej kësaj ne kemi marrë përsipër të bëjmë një transformim të thellë të të gjithë mënyrës se si zhvillohet aktiviteti në tregun e naftës, duke krijuar një kompani publike që do të marrë përsipër të garantojë rezervën strategjike të naftës. Rezervat strategjike janë shumë të rëndësishme pasi nuk mund të rrezikojmë të mbetemi pa naftë në një kohë të caktuar”, tha Rama.

Rama sqaroi se kjo kompani publike do të jetë edhe furnizuese e naftës dhe do të ndikojë në çmimin e saj, duke mbajtur anën e konsumatorëve, jo të distributorëve.

Po ashtu, kryeministri theksoi se “është krijuar një kompani e përbashkët publike me Emiratet e Bashkuara që ka zëvendësuar disa nga praktikat koncesionare që ne trashëguam”.

Ndërkohë, Rama nuk i ka mohuar përplasjet në mbledhjen e fundit të zgjeruar të grupit parlamentar socialist, ku sipas raportimeve ka pasur një debat të ashpër me ish-ministren e Jashtme, Elisa Spiropali.

Ai u shpreh se ato i janë dukur “spektakolare” dhe “të pabesueshme”, duke theksuar se mbledhjet e tilla zhvillohen rregullisht për të diskutuar çështje të rëndësishme si pronat, kadastra dhe reforma territoriale.

“Njerëzit kanë votuar dhe duan të dinë gjëra të tjera. Janë të shqetësuar për çmimin e naftës… kjo është jeta reale” u shpreh Rama, duke iu referuar edhe ndikimit të konflikteve ndërkombëtare në rritjen e çmimeve.

Më pas, Rama u shpreh se gjatë qeverisjes së tij është bërë e mundur hetimi i zyrtarëve të lartë për korrupsion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë