Para

Banka e Shqipërisë tërhoqi nga tregu mbi 1 mld euro gjatë 2025-ës

Nga Gazeta ‘SI’ – Në tremujorin e fundit të vitit 2025, Banka e Shqipërisë tërhoqi nga tregu më shumë se 200 milionë euro, duke përgjysmuar ndërhyrjet krahasuar me tremujorin paraardhës.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 67.7 milionë euro u blenë përmes ankandeve, ndërsa 133.8 milionë euro të tjera u siguruan për realizimin e objektivave të politikës monetare, kryesisht për stabilizimin e kursit të këmbimit.

Në total, për këtë qëllim, banka qendrore ka blerë 729.1 milionë euro gjatë një viti, ndërsa përgjatë gjithë vitit 2025 ndërhyrjet në treg kanë tejkaluar nivelin e 1 miliard eurove.

Paralelisht me ndërhyrjet në tregun valutor, Banka e Shqipërisë ka rritur edhe injektimin e likuiditetit në monedhën vendase, duke e çuar mesataren ditore në 43.61 miliardë lekë, nga 38 miliardë lekë që ishte më herët. Për vitin 2026, institucioni parashikon të vijojë ndërhyrjet, me plane për të blerë nga 330 deri në 450 milionë euro.

Gjatë vitit 2025, euro ka shfaqur një qëndrueshmëri të konsideruar nga disa analistë si “artificiale”, e mbështetur nga ndërhyrjet e vazhdueshme të bankës qendrore. Sipas të dhënave, rreth 800 milionë euro janë tërhequr nga tregu me synim frenimin e zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës europiane.

Megjithatë, kjo qasje nuk është vlerësuar pozitivisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka theksuar nevojën për një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ku tregu të reflektojë në mënyrë më të plotë balancat reale ekonomike, pa ndërhyrje të shpeshta administrative.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë