Ka ndodhur

Dimër në pranverë, veriu e juglindja zbardhen nga dëbora! (foto)

Nga Gazeta ‘Si’- Temperaturat e ulëta kanë rikthyer gjatë orëve të natës reshjet e dëborës në një pjesë të vendit tonë, veçanërisht në zonat malore përfshirë Malin e Dajtit, Tiranë, Gjinarin dhe Fushë-Studën, Elbasan.

Në Llogara, reshjet intensive kanë vështirësuar qarkullimin dhe rekomandohet që drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë ose tunelin si alternativë. Në ndihmë të situatës, drejt zonës është nisur edhe një patrullë policie për të monitoruar dhe garantuar sigurinë në qarkullim.

Llogara

Në qarkun e Dibrës, në lartësitë mbi 300 metra dëbora ka përfshirë Bulqizën dhe fshatrat përreth, duke sjellë një peizazh dimri në stinën e pranverës. Banorët e zonës raportojnë për trashësi të konsiderueshme dëbore, ndërsa rrugët rurale janë bërë të vështira për t’u përshkuar.

Edhe në juglindje të vendit reshjet e dëborës janë rikthyer përsëri, kryesisht në lartësitë 1100 deri në 1200 metër – në zonat rreth Pogradecit. Në aksin Qukës-Qafe Pllocë dhe në majën e Qafë Thanës dëbora ka qenë më e dendur gjatë natës duke arritur trashësi të madhe.

Edhe në zonat turistike të Dardhës, Voskopojës dhe Boboshticës, Leskovikut, Ersekës ka pasur prezencë të reshjeve të dëborës. Autoritetet bëjnë thirrje që drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes në qarkullimin e automjeteve në këto zona. Të gjitha akset janë të kalueshme pa problematika.

Kjo rënie e dëborës në këtë periudhë ka krijuar probleme për fermerët, pasi shumë kultura bujqësore dhe pemë frutore ndodhen në fazën e lulëzimit. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat nën zero mund të shkaktojnë dëme të ndjeshme në prodhimin e këtij sezoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë