Politike

PS nuk i hoqi imunitetin Ballukut/ Kos: Po e monitorojmë rastin! SPAK, punë të shkëlqyer

Nga Gazeta ‘Si’- Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos ka komentuar për herë të parë çështjen e Belinda Ballukut, ish zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, për të cilën PS nuk lejoi heqjen e imunitetit.

E pyetur për situatën aktuale në forumin “Politico“, ajo vlerësoi punën e SPAK, ndërsa theksoi se çështjen e ish zv kryeministres po e monitorojnë me kujdes.

“Shqipëria ka bërë një punë ekselente dhe është në rrugën e duhur sa i përket reformës në drejtësi. Janë disa çështje, ju përmendët rastin e çështjes Balluku, të cilat ne po i monitorojmë me vëmendje. Siç e dini, SPAK po bën një punë të shkëlqyer në Shqipëri dhe në fakt është normale që ata të hetojnë apo të gjejnë shkelje. Një tjetër element për ne është edhe fakti se përpos çështjeve nën hetim, të rëndësishme janë dhe reagimet. Ne po monitorojmë edhe ato”, theksoi Kos.

Ajo shtoi se sfida kryesore për vendet kandidate mbetet jo vetëm krijimi i një kuadri të fortë ligjor, por edhe ndryshimi i perceptimit shoqëror ndaj korrupsionit.

“Një tjetër element në luftën kundër korrupsionit, sidomos për vendet kandidate është se ti mund të kesh legjislacionin më të mirë por nëse korrupsioni është i pranuar në ato vende, atëherë të shfaqet një problem tjetër. Pra të gjithë ato vende, po shkojnë drejt një procesi të ndryshimit të mendësisë së konceptit të korrupsionit dhe për këtë do të duhet kohë”, u shpreh më tej Kos.

Kujtojmë që pasi PS rrëzoi me votat e saj në Kuvend kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe hapjen e rrugës për dhënien e një masë më të ashpër sigurie ndaj saj, reaguan disa përfaqësi diplomatike në vend duke kërkuar mospengim të punës së drejtësisë.

Balluku, është vënë zyrtarisht nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë, dhe nën hetim për procedura të tjera tenderuese.

SPAK ka argumentuar se pozita e saj është rënduar, ndaj iu drejtua Kuvendit për t’i hequr imunitetin dhe për ta arrestuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë