Nga Gazeta Si- Tifozët shqiptarë që do udhëtojnë drejt Varshavës për të ndjekur ndeshjen ndaj Polonisë, do të duhet të ndjekin disa udhëzime strikte, të publikuara nga Federata Polake e Futbollit.
Tifozët kuqezinj do të grumbullohen pranë “Monumentit të Sirenës” në brigjet e lumit Vistula në Varshavë ndërsa policia vendase do të garantojë sigurinë e tyre në “Fan Meeting Point”.
Dyert e stadiumit hapen në orën 18:45 ndërsa ndeshja fillon në orën 20:45.
Tifozët duhet të mbërrijnë sa më herët për të shmangur radhët dhe për të mos humbur fillimin e ndeshjes si dhe nuk duhet të kenë me vete bagazhe apo çanta të mëdha që nuk janë të nevojshme.
Hyrja e dedikuar për tifozët kuqezinj është “Gate 10”, në anën verilindore të stadiumit në rrugën “Siwca”. Pas kontrollit të parë të sigurisë, tifozët duhet të ndjekin hyrjen L, sipas biletës.
Personat me aftësi të kufizuara duhet të përdorin “Gate 1”. Stadiumi ndodhet rreth 3.2 km nga qendra e qytetit dhe rekomandohet përdorimi i transportit publik.
Mund të arrihet nëpërmjet metro-së, tramvaj-it, autobusit ose trenit urban ndërsa distanca në këmbë nga qendra është rreth 35 minuta.
Stacionet më të afërta janë: “Rondo Waszyngtona” dhe “Aleja Zieleniecka” (autobus dhe tramvaj), “Stadion Narodowy” (metro) dhe “Warszaws Stadion” (tren urban).
Tifozët që udhëtojnë me makinë ose autobus kanë një zonë parkimi të dedikuar pranë stadiumit.
Parkimi ndodhet në rrugën “Sokola”, me hyrje nga rrugët “Wybrzeze Szczecinskie” dhe “Zamoscie”.
Çdo automjet duhet të vendosë në xham një fletë A4 me shkronjën “A”.
Bileta e ndeshjes shërben edhe si biletë transporti publik falas në Varshavë. Transporti falas është i vlefshëm nga ora 06:00 e mëngjesit deri në 01:00 pas mesnate. Përtej këtij orari duhet të blihen bileta normale.
Çdo tifoz duhet të ketë biletë të vlefshme, pavarësisht moshës. Autoritetet mund të kërkojnë dokument identifikimi (ID, pasaportë ose patentë).
Bileta duhet të ruhet deri në fund të ndeshjes. Nëse largoheni nga stadiumi, nuk lejohet rikthimi. Telefoni duhet të jetë i karikuar, pasi hyrja bëhet vetëm me biletën në telefon.
Tifozët dhe sendet personale mund të kontrollohen nga policia dhe stafi i sigurisë dhe duhet të ndiqni gjithmonë udhëzimet e stafit të stadiumit.
Si në çdo ndeshje, ndalohet hyrja me fishekzjarrë, flakadanë, tymuese apo çdo mjet piroteknik. Gjithashtu ndalohen dhe shishet, kanacet ose objektet e qelqit, alkooli apo substancat narkotike.
Nuk do të lejohen as materialet raciste, politike apo propagandistike.
Nuk lejohen shtylla flamujsh të forta ose më të gjata se 1 metër, spray, substanca të ndezshme ose gërryese, kamera profesionale me lente të mëdha.
Evitoni megafonët, vuvuzelat dhe pajisjet e tjera zhurmuese, Laser-at, topat ose dronët.
Në stadium do të ketë pika ku mund të blihen ushqime si hot dog, sallamra, kokoshka dhe pije joalkoolike. Pagesat mund të bëhen me karta VISA ose MasterCard.
Për arsye sigurie, tifozët e skuadrës mike duhet të konsumojnë pijet në zonat e korridoreve dhe jo në tribuna.
Tifozëve shqiptarë mund t’ju kërkohet të qëndrojnë në tribunë rreth 10–20 minuta pas përfundimit të ndeshjes. Njoftimi do të bëhet nga spikeri i stadiumit.
Si në çdo qytet të madh, tifozët duhet të jenë të kujdesshëm me sendet personale për të shmangur vjedhjet. Konsumi i alkoolit në vende publike është i ndaluar, përveç bareve, restoranteve dhe zonave të licencuara. Personat nën ndikimin e alkoolit mund të mos lejohen të hyjnë në stadium.
Monedha zyrtare është Zloty polak (PLN). Kartat bankare pranohen gjerësisht në shumicën e dyqaneve dhe restoranteve.
Autoritetet polake paralajmërojnë se ekziston rrezik për përplasje mes grupeve të huliganëve para ose pas ndeshjes, ndaj tifozët shqiptarë duhet të tregojnë kujdes maksimal gjatë qëndrimit në Varshavë.
Tifozët këshillohen të lëvizin në grupe dhe të shmangin zonat e izoluara në qytet. Për arsye sigurie rekomandohet që simbolet apo ngjyrat kombëtare shqiptare të mos mbahen jashtë stadiumit.
Të gjithë tifozët duhet të ndjekin udhëzimet e policisë, shërbimeve të sigurisë dhe stafit organizator.
Në Poloni është plotësisht e ndaluar sjellja, posedimi ose përdorimi i mjeteve piroteknike, flakadanëve apo materialeve të rrezikshme në evente masive ose gjatë rrugës drejt stadiumit.
Shkelja e këtij rregulli mund të sjellë gjobë, kufizim të lirisë ose dënim me burg nga 3 muaj deri në 5 vjet. Konsumi i alkoolit në vende publike është i ndaluar në të gjithë territorin e Polonisë.
Ndalohet përdorimi i simboleve që promovojnë nazizmin, komunizmin, fashizmin apo sisteme të tjera totalitare, si dhe çdo material që nxit urrejtje kombëtare, etnike, racore apo fetare. Shkeljet dënohen deri në 3 vjet burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje