Nga Gazeta Si- Tirana përballet çdo vit me nivele shqetësuese të ndotjes së ajrit, veçanërisht nga grimcat e imëta PM2.5. Nga 9446 qytete të marra në studimin e fundit, kryeqyteti ynë renditet në vendin e 1990, me një nivel përqendrimi prej 12.9 të grimcave PM2.5, ndërkohë që udhëzimi vjetor i OBSH-së është 5 mikrogramë për metër kub (µg/m³).
Sipas të dhënave të publikuara nga Raporti Botëror i Cilësisë së Ajrit në IQAir, ndotja e ajrit në Tiranë ndryshon gjatë muajve të vitit, ku në muaj të caktuar nivelet kalohen frikshëm.
Muajt më të pastër rezultojnë të jenë maj, korrik, shtator, nëntor, ku muaji më i pastër ka nivel ndotje prej 7.3.

Ndërkohë panorama është ndryshe në muajt më të ndotur, ku nivelet kalojnë në ekstremitet në 21.9 μg/m³ në shkurt, i cili është edhe më i ndoturi për vitin 2025.
Më pas vjen muaji dhjetor me një nivel ndotje prej 21.3 μg/m³.
Pas tyre janë janari dhe marsi me nivele ndotje rreth 17 μg/m³. Kjo rritje lidhet me përdorimin më të madh të karburanteve për ngrohje, rritjen e trafikut dhe kushtet atmosferike që mbajnë ndotjen të “bllokuar” mbi qytet.
Në përfundim, të dhënat tregojnë se ndotja e ajrit në Tiranë është më e theksuar gjatë dimrit. Përmirësimi i situatës kërkon masa konkrete si reduktimi i trafikut, kontrolli i ndërtimit dhe rritja e hapësirave të gjelbra, në mënyrë që qytetarët të kenë një mjedis më të shëndetshëm për të jetuar.
Grimcat e imëta PM2.5 janë shumë të rrezikshme për shëndetin, pasi depërtojnë thellë në mushkëri dhe lidhen me sëmundje të frymëmarrjes dhe probleme kardiovaskulare.
Për fëmijët, ndikimi i ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit mund të zgjasë një jetë- dëmtimi i frymëmarrjes i pësuar gjatë viteve të zhvillimit është shpesh i pakthyeshëm.
Globalisht, vetëm 13 vende, rajone dhe territore panë përqendrime mesatare vjetore të PM2.5 që përmbushnin udhëzimin vjetor të OBSH-së, me shumicën e vendosur në rajonin e Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Në studim u zbulua se cilësia e ajrit po përkeqësohet globalisht, kryesisht për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu. Tymi i zjarreve në pyje, në veçanti, shkaktoi cilësi të dobët të ajrit në vitin 2025, së bashku me stuhitë e pluhurit dhe ngjarje të tjera ekstreme të motit të intensifikuara nga djegia e lëndëve djegëse fosile.
Në Europë, Andorra, Estonia dhe Islanda janë të vetmet vende që përmbushën udhëzimin vjetor të OBSH-së për PM2.5, 5 mikrogramë për metër kub në vitin 2025.
Ndotja nga PM2.5 u rrit me më shumë se 30 për qind në Zvicër dhe Greqi për shkak të tymit të zjarreve nga pluhuri i Amerikës së Veriut dhe Saharasë nga Afrika.
Pesë vendet më të ndotura ishin Pakistani (67.3 µg/m³), Bangladeshi (66.1 µg/m³), Taxhikistani (57.3 µg/m³), Çadi (53.6 µg/m³) dhe Republika Demokratike e Kongos (50.2 µg/m³).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje