Politike

27-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Hoxha: Moment përcaktues në histori

Nga Gazeta ‘Si’- Në 27-vjetorin e fillimit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka theksuar rëndësinë e këtij momenti dhe ndikimin e tij në të ardhmen e Kosovës.

Në një reagim në “X”, Hoxha thotë se ndërhyrja e NATO-s përmes Operacionit Allied Force ishte vendimtare për ndalimin e dhunës dhe spastrimit etnik kundër shqiptarëve në Kosovë nga regjimi i Slobodan Millosheviç.

“27 vjet më parë, bota zgjodhi të mos qëndronte indiferente”, shkruan Hoxha, duke vlerësuar se ky ishte një moment kur “dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën” dhe kur veprimi ndërkombëtar bëri diferencën për jetët e pafajshme.

Ai kujton gjithashtu rolin e Shqipërisë gjatë asaj periudhe, duke theksuar hapjen e shtëpive dhe institucioneve për pritjen e refugjatëve, si një akt solidariteti dhe humanizmi.

Sipas tij, sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që ka bërë përparim të qëndrueshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin e rolit të saj në rajon.

Hoxha thekson se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të Aleancës, e cila sipas tij “ndali vdekjen dhe riktheu shpresën, dinjitetin dhe lirinë në Kosovë”.

Rruga e Kosovës, sipas tij, vazhdon drejt integrimit në familjen euro-atlantike, e mbështetur mbi parimet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë