Rend dhe Ligj

Gara për kreun e ri të policisë, nisin intervistat me 14 kandidatët. Van Horn ndjek nga afër procesin

Gazeta Si – Ka nisur këtë të martë faza e intervistimit për 14 kandidatët e përzgjedhur që garojnë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Procesi po mbahet nga komisioni në Ministrinë e Brendshme, i përbërë nga zv/ministrja Silva Caka, Sekretarja e Përgjithshme, Kledia Ngjela dhe kreu i Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, të cilët më herët kanë vlerësuar dosjet e kandidatëve.

Rreth mesditës, në Ministrinë e Brendshme mbërriti edhe e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Tiranë, Nancy Van Horn.

Sipas burimeve, ajo pritet të takohet ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, ku në qendër të diskutimeve do jetë procesi i zgjedhjes së kryepolicit të vendit.

Procesi i intervistave po zhvillohet sipas rendit alfabetik, dhe i pari që u paraqit për vlerësim ishte Afrim Tafa, aktualisht drejtor i Policisë së Durrësit.

Në total, për postin e kryepolicit kanë aplikuar 16 persona, ndërsa dy kandidatura nga jashtë radhëve të Policia e Shtetit, Ejona Gurbardhi dhe Suela Sulkaj, janë skualifikuar pas verifikimit paraprak.

Pas përfundimit të intervistave, kandidatët do të renditen sipas pikëzimit nga më i vlerësuari tek më i dobëti. Brenda 48 orëve, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, pritet të propozojë një emër për emërim në Këshilli i Ministrave.

Megjithatë, ligji parashikon që përzgjedhja nuk është domosdoshmërisht e lidhur me kandidatin e renditur të parin.

Në garë janë përfshirë emra të njohur të strukturave policore, përfshirë drejtues aktualë dhe ish-drejtues të rëndësishëm, si Tonin Vocaj, Skënder Hitaj, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Saimir Boshnjaku, si dhe drejtues të qarqeve si Elidon Çela, Afrim Tafa dhe Gentian Berberi. Po ashtu, pjesë e garës janë edhe emra nga Akademia e Sigurisë dhe strukturat kufitare.

Posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policia e Shtetit mbeti vakant pas dorëheqjes së Ilir Proda, ndërsa aktualisht detyrën e mban i komanduar Sokol Bizhga.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë