Nga Gazeta ‘Si’- Në fillim të viteve 1970, psikologë në Northwestern University zhvilluan një eksperiment që, në pamje të parë, dukej si fantazia e çdo fëmije. Studiuesit mblodhën 45 studente dhe u kërkuan disa prej tyre të pinin një milkshake ose edhe dy.
Më pas vendosën përpara secilit nga tri kuti me akullore dhe i kërkuan t’i provonin të gjitha.
Në fund, pjesëmarrëset u lejuan të hanin sa të donin nga akullorja që kishte mbetur, ndërsa më pas plotësuan një pyetësor për të matur sa shpesh mbanin dietë ose sa shumë përpiqeshin të kontrollonin ushqimin në jetën e përditshme. Rezultatet u botuan në revistën shkencore Journal of Personality.
Rezultatet ishin befasuese. Mesatarisht, gratë që thanë se nuk mbanin dietë dhe nuk shqetësoheshin për peshën e tyre hëngrën më pak akullore nëse kishin pirë të paktën një milkshake. Me sa duket, ëmbëlsira e parë ua kishte shuar urinë.
Por për gratë që ishin në dietë dhe shqetësoheshin për peshën, milkshake dukej sikur zhbllokonte një uri të fshehtë. Mesatarisht, ato hëngrën 66% më shumë akullore pasi kishin pirë milkshake sesa kur nuk e kishin pirë.
Nga këto të dhëna, studiuesit propozuan një teori të guximshme: dietat dhe shqetësimi për peshën mund t’i bëjnë njerëzit të hanë më shumë dhe të shtojnë në peshë.
Edhe pse dietat mbetën shumë të përhapura, studimi i milkshake-it dhe kërkime të tjera të ngjashme ndikuan fuqishëm në mënyrën se si shumë amerikanë filluan ta shohin dietën dhe obezitetin. Disa ekspertë arritën në përfundimin se përpjekja për të kufizuar kaloritë mund të shkaktojë çrregullime të ndryshme të të ngrënit, si anoreksia, ngrënia e tepruar apo bulimia. Disa shkencëtarë madje sugjeruan se vetë kufizimi i dietës mund të kontribuojë edhe në obezitet.
Kjo linjë kërkimesh frymëzoi trajtime për çrregullimet e të ngrënit, ndihmoi në lindjen e lëvizjes kundër dietave dhe nxiti trendin e të ashtuquajturit “ushqyerje intuitive”. Ajo ndikoi edhe në mënyrën se si shumë prindër i edukuan fëmijët për raportin me ushqimin.
Megjithatë, prova më të reja shkencore sugjerojnë se përpjekja për të kufizuar ushqimin nuk ka domosdoshmërisht pasoja kaq negative.
Ideja se dieta mund të shkaktojë çrregullime të të ngrënit apo obezitet duket logjike në pamje të parë. Sipas psikologut Michael Loëe nga Drexel University, ekziston një perceptim se nëse një person mendon vazhdimisht për ushqimin dhe përpiqet ta kufizojë atë, ai po zhvillon një mentalitet të çrregullimeve të të ngrënit.
Kjo teori është tërheqëse edhe sepse shumica e njerëzve nuk duan të heqin dorë nga ushqimet e shijshme, ndaj është e lehtë të besohet se kufizimi i tyre mund të jetë i dëmshëm. Kjo është arsyeja pse ideja u përhap gjerësisht si mes profesionistëve të shëndetit ashtu edhe në publikun e gjerë.
Rrjetet sociale e përforcuan edhe më shumë këtë teori. Shumë njerëz sot besojnë se vendosja e çdo kufiri në dietë mund të jetë e rrezikshme ose e dëmshme, thotë psikologia Ashley Gearhardt nga University of Michigan. Disa prindër madje mendojnë se nëse fëmijët lejohen të ndjekin vetëm oreksin e tyre, do të zhvillojnë një marrëdhënie të shëndetshme me ushqimin. Por sipas dietologes Katherine Balantekin nga University at Buffalo, kjo logjikë mund të shkojë aq larg sa në disa rrethe konsiderohet problem edhe nëse fëmijëve nuk u jepet akses i pakufizuar në ushqime ultra të përpunuara.
Ndërkohë që këto ide përhapeshin, studiuesit filluan të zbulonin probleme serioze me studimet e hershme që lidhnin dietën me çrregullimet e të ngrënit. Eksperimentet e para nuk kishin një përkufizim të qartë të “kufizimit dietik” dhe nuk testonin nëse ai shkaktonte vërtet çrregullime apo ngrënie të tepërt; ato vetëm tregonin se këto fenomene shfaqeshin së bashku.
Për më tepër, shumë studime bashkonin lloje të ndryshme të çrregullimeve të të ngrënit ose nuk dallonin mes pjesëmarrësve me obezitet dhe atyre me peshë shumë të ulët.
Shkencëtarët, përfshirë ata që zhvilluan studimin e milkshake-it në vitin 1975, u mbështetën kryesisht në pyetësorë për të matur sa shumë mbante dietë një person. Supozohej se njerëzit që thoshin se kufizonin shumë ushqimin, në të vërtetë konsumonin më pak kalori. Por dekada më vonë, kur studiuesit përdorën të njëjtët pyetësorë dhe matën realisht marrjen e kalorive, zbuluan se këto rezultate nuk përputheshin me kufizimin real të kalorive.
Psikologu Eric Stice nga Stanford University zbuloi se personat që klasifikoheshin si “dietues të mëdhenj” nga këto anketa mund të mos mbanin dietë fare. Në një nga studimet e tij, ata konsumonin mesatarisht vetëm 23 kalori më pak në ditë sesa të tjerët- një diferencë shumë e vogël.
Në vitet 2000, shkencëtarët filluan të përdornin prova të kontrolluara dhe të rastësishme për të testuar më saktë teorinë e viteve ’70. Në një seri studimesh, pjesëmarrësve iu përshkruan dieta të personalizuara për të ulur kaloritë dhe u mësuan metoda efektive për t’i ndjekur ato. Pas gjashtë muajsh, ata kishin humbur mesatarisht rreth 10% të peshës trupore, krahasuar me vetëm 1% te grupi i kontrollit.
Për më tepër, dieta nuk përkeqësoi simptomat e çrregullimeve të të ngrënit. Përkundrazi, ngrënia e tepruar u ul dhe pjesëmarrësit u ndien më pak të shqetësuar për trupin e tyre.
Sot, konsensusi shkencor është shumë më i nuancuar sesa teoria e para 50 viteve. Sipas psikologes Sydney Yurkoë nga Yale School of Medicine, kufizimi dietik nuk është as plotësisht i mirë dhe as plotësisht i keq. Nivele të ndryshme kufizimi mund të jenë të dobishme për disa njerëz dhe të dëmshme për të tjerë. Për shembull, kufizimi i ushqimit nuk rekomandohet për personat me anoreksi, ndërsa për njerëzit pa çrregullime të të ngrënit, kufizimet ekstreme mund të jenë të pashëndetshme.
Studimet e reja kanë zbuluar edhe një mënyrë të papritur për të parandaluar çrregullimet e të ngrënit te adoleshentët dhe të rinjtë në rrezik: një nivel i moderuar i kontrollit të dietës. Një meta-analizë e vitit 2021 tregoi se edukimi për zakone të shëndetshme ushqimore dhe për mënyra për të shmangur ngrënien e tepërt mund të ulë rrezikun e zhvillimit të çrregullimeve të të ngrënit në të ardhmen.
Nga ky këndvështrim, edhe studimi i famshëm i milkshake-it duket ndryshe sot. Në vitet ’70 u mendua se dieta i kishte bërë gratë të hanin më shumë akullore. Por interpretimi modern sugjeron se për shumë prej tyre ndodhi e kundërta: prirja për të ngrënë tepër ishte ajo që i shtyu të përpiqeshin të mbanin dietë.
Në fakt, koha kur u bë studimi ishte pothuajse profetike. Nga fundi i viteve ’70, mjedisi ushqimor në SHBA filloi të ndryshonte me shpejtësi.
Sipas Lowe, disponueshmëria e ushqimit të shpejtë dhe produkteve të pasura me sheqer e yndyrë u rrit ndjeshëm.
Ushqimi u bë shumë më i vështirë për t’u rezistuar, edhe kur njerëzit nuk ishin të uritur. Për të ruajtur peshën, amerikanët duhej të kontrollonin më shumë se më parë sasinë që hanin.
Sot, një pjesë e madhe e kalorive që konsumon mesatarisht një amerikan vjen nga ushqime ultra të përpunuara. Shkencëtarët bien dakord se këto produkte janë shumë të rafinuara, prodhohen në mënyrë industriale dhe kanë përmbajtje të lartë kalorike. Studimet tregojnë se dietat e pasura me këto ushqime mund të çojnë në konsumimin e qindra kalorive shtesë çdo ditë, dhe episodet e ngrënies së tepërt shpesh lidhen pikërisht me to.
Së fundmi, shkencëtarët dhe autoritetet shëndetësore kanë filluar të paralajmërojnë për rreziqet e konsumimit të tepërt të ushqimeve ultra të përpunuara, të cilat lidhen me rrezik më të lartë për diabet, disa lloje kanceri dhe depresion.
Madje sekretari amerikan i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. ka shpallur një luftë kundër sheqernave të shtuara, ndërsa udhëzimet e reja dietike këshillojnë kufizimin e ushqimeve shumë të përpunuara.
Burimi: The Atlantic/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje