Nga Gazeta ‘Si’- Arti i “shitjes” së inteligjencës artificiale në vendin e punës tingëllon kështu: është sikur të kesh një ekip njerëzish ku mund t’u delegosh punët e lodhshme, duke të lënë ty të mendosh në mënyrë strategjike – dhe ndoshta, pse jo, të ikësh më herët nga puna.
Ose edhe të bëhesh më produktiv dhe të fitosh më shumë para. Tingëllon bukur.
Por kushdo që ka pasur apo ka qenë shef e di mirë: menaxhimi është një punë më vete, që sjell stres dhe bezdi të veçanta. Dhe kjo nuk ndryshon edhe kur “njerëzit” që menaxhon nuk janë fare njerëz.
Sipas një studimi të fundit nga Boston Consulting Group, mbikëqyrja e disa “agjentëve” të AI-së – programe autonome të krijuara për të kryer detyra, jo thjesht për të dhënë informacion si chatbot-et – krijon një ndjesi të fortë mbingarkese mendore. Pjesëmarrësit e përshkruan si një “zhurmë” në tru, që i linte të lodhur dhe me vështirësi për t’u përqendruar.
Autorët e studimit e quajnë këtë fenomen “djegie truri nga AI” – një lodhje mendore që vjen nga përdorimi ose mbikëqyrja e tepruar e mjeteve të inteligjencës artificiale përtej kapacitetit njohës të njeriut.
“Ndryshe nga premtimi për më shumë kohë për punë domethënëse, puna me AI shpesh shndërrohet në një lojë multitasking-u dhe menaxhimi të vazhdueshëm,” shkruajnë ata në studimin e publikuar nga Harvard Business Revieë.
“Ky presion mendor sjell kosto reale: më shumë gabime, lodhje në vendimmarrje dhe rritje të dëshirës për të lënë punën.”
Punonjësit e intervistuar e përshkruajnë eksperiencën në mënyrë shumë konkrete. Një menaxher i lartë inxhinierie tha se ndihej sikur kishte “një duzinë skedash të hapura në kokë”, të gjitha duke kërkuar vëmendje njëkohësisht. Ai e gjente veten duke rilexuar të njëjtat materiale, duke dyshuar më shumë se zakonisht dhe duke u bërë i padurueshëm pa arsye.
Ky është vetëm një nga efektet anësore të nxitjes së kompanive për të futur gjithnjë e më shumë AI në punë. Një tjetër fenomen i përmendur më herët është “workslop” – përmbajtje e krijuar nga AI që duket si punë cilësore, por në fakt kërkon më shumë kohë për t’u rregulluar nga njerëzit.
Sipas psikiatres Gabriella Rosen Kellerman, kjo reflekton një lloj “dorëzimi kognitiv”, ku punonjësit ia delegojnë gjithçka AI-së pa u përfshirë realisht. “Djegia e trurit është pothuajse e kundërta – është përpjekja për të konkurruar kokë më kokë me inteligjencën artificiale,” shpjegon ajo.
Edhe profesionistët e teknologjisë nuk janë imunë. Francesco Bonacci, CEO i një kompanie që zhvillon agjentë AI, e përshkroi lodhjen e tij si një lloj “paralize nga kodimi me vibe”. “Në fund të ditës jam i rraskapitur – jo nga puna, por nga menaxhimi i saj,” shkroi ai.
Në një farë mase, këto fenomene mund të jenë thjesht dhimbje rritjeje. Është si të marrësh një punonjës zyre nga vitet ’80 dhe ta vendosësh papritur në një ambient modern me email, Slack dhe takime online – mbingarkesa do të ishte e pashmangshme.
Ekspertët besojnë se kjo fazë mund të jetë e përkohshme.
“Këto janë mjete që nuk i kemi pasur më parë,” thotë Matthew Kropp nga BCG. Ai e krahason përdorimin e shumë mjeteve AI me një shofer të sapo-mësuar që i jepet një Ferrari: mund të ecësh shumë shpejt, por është e lehtë të humbasësh kontrollin.
Madje, edhe brenda industrisë, problemet nuk mungojnë. Një drejtuese e sigurisë së AI në Meta tregoi se si një sistem pothuajse i fshiu inbox-in pa leje, duke e detyruar të vraponte për ta ndalur “si të çaktivizonte një bombë”.
Megjithatë, studimi sjell edhe një aspekt pozitiv: ndryshe nga “burnout”-i klasik, që është kronik dhe afatgjatë, “brain fry” është i përkohshëm. Sipas studiuesve, sapo punonjësit bëjnë një pushim, simptomat zhduken.
Burimi: CNN/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje