Gazeta Si – Një ditë pasi u vetëdorëzua në policinë e Elbasanit, drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa është liruar këtë të premte, pasi nga hetimet paraprake del se nuk ka lidhje me dy magazinat me 4 mijë rrënjë kanabis që u zbuluan në Peqin.
Burime paraprake, thonë se Hasa do të hetohet në gjendje të lirë, ndërsa në kërkim është shpallur vëllai i tij, Romario Hasa. Në kërkim është edhe një përgjegjës i OSHEE-së.
Sipas të njëjtave burime, Hasa ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë që ishte në pronësi të tij.
Mësohet se ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për aktivitetin, që mund të ishte ushtruar aty.
Operacioni “Kurtaj” u zhvillua nga Drejtoria për Krimet, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine u zbuluan dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin mbjellë rreth 4000 bimë kanabisi, si dhe u sekuestruan llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.
Sipas njoftimit zyrtar, objekti rezulton në pronësi të Bilal Hasës, ndërsa përveç tij, në kërkim është shpallur edhe përgjegjësi i OSHEE-së për zonën e Peqinit, me inicialet E. M., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ka lidhje me furnizimin e paligjshëm me energji të objektit.
Burime policore bëjnë me dije se një nga pistat e hetimit lidhet edhe me mundësinë që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike të jetë kryer nga vëllai i Hasës, që jeton në fshat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje