Analize

Tregu i naftës ndahet në dysh, pse rrezikon Europa dhe dyshimet pas lëvizjeve të SHBA-ve

Tregu global i naftës është ndarë në dy pjesë: Nafta e papërpunuar e Omanit, me çmimin më parë në të njëjtin nivel me Brent, tani është 30-40 dollarë më e lartë. Derisa nafta e Gjirit të shterojë përfundimisht në Azi

Gazeta Si – Pak kohë para nisjes së konfliktit në Gjirin Persik, nafta që lidhet kryesisht me zonën e Atlantikut të Veriut, tregtohej me çmime pak më të ulëta se nafta e Gjirit, si ajo e Omanit dhe Dubait, të cilat pasqyrojnë çmimet e vendeve të Lindjes së Mesme.

Çmimet

Ky ekuilibër fuqie, jo vetëm që është përmbysur sot, por ka ndryshuar plotësisht. Me çmimet e mëngjesit të kësaj të enjteje, nafta “Brent” tregtohet me 114 dollarë për fuçi, në Dubai me 136 dollarë dhe Omani me 153 dollarë.

Në sipërfaqe, ky është një zhvillim (relativisht) pozitiv për konsumatorët europianë: nafta e djegur në këtë pjesë të botës është bërë më e shtrenjtë me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, por shumë më pak se rritja e naftës së papërpunuar të Gjirit, e blerë kryesisht në Azi.

Indekset

Në letër, kjo divergjencë e papritur dhe e madhe u jep një avantazh Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku referenca WTI është deri në 97.

Por sa mund të zgjasë? Rreziku në treg, nëse kriza dhe mbyllja e Hormuzit vazhdojnë, është se diferenca midis “Brent”-it europian dhe Omanit të konsumuar në Kinë ose Korenë e Jugut, është e destinuar të ngushtohet.

Nafta është, në fakt, një lëndë e parë e transportueshme: ajo mund të transportohet në çdo rafineri në botë, duke u nisur nga çdo port.

Prandaj, nuk ka gjasa që çmimi në një kontinent të mbetet shumë më i ulët se ai në një tjetër për një kohë të gjatë.

Mbyllja e Hormuzit

Rritja dramatike e çmimeve të naftës bruto në Dubai dhe Oman, shpjegohet me faktin se ato janë bërë shumë më të rralla me mbylljen e Hormuzit.

Që do të thotë edhe shumë më të shtrenjta. Por rafineritë aziatike, pasi kanë përdorur disa nga rezervat e tyre, së shpejti mund të konkurrojnë me rafineritë evropiane dhe amerikane për naftën bruto perëndimore të shitur me çmimet “Brent” dhe “WTI”.

Dhe kërkesa e shtuar mund të shkaktojë vetëm konvergjencën e çmimeve të naftës së konsumuar në Europë, drejt atyre të naftës së konsumuar në Azi.

Me fjalë të tjera, mund të shohim një rritje tjetër të çmimeve të “Brent”, e cila tashmë ka filluar të shihet këtë mëngjes.

WTI e SHBA-ve

Ndërkohë, dyshimet po shtohen rreth stabilitetit relativ të çmimeve të “WTI”-së të SHBA-ve, veçanërisht atyre të naftës bruto amerikane, e cila sot mbetet pothuajse e qëndrueshme në 97 dollarë pavarësisht lajmeve të tmerrshme nga konflikti i Gjirit.

Tregtarë të ndryshëm po pyesin veten, nëse Thesari i SHBA-ve, drejtpërdrejt ose përmes tregtarëve “besnikë”, po përpiqet të manipulojë çmimin.

Për shembull, ai ka një mënyrë për ta bërë këtë: shitjen e kontratave të ardhshme të “WTI”-së në mënyrë të shkurtër, duke bërë që ato të bien.

Kjo do të ishte një formë e manipulimit të tregut që konsiderohet shumë e rrezikshme. Por, në afat të shkurtër, mund të jetë edhe efektive.

Burimi: “Corriere della Sera”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë