Mjedis

Tirana mes trafikut dhe ndotjes- Dioksidi i azotit mbi nivelet referencë

Nga Gazeta Si- Trafiku rrugor dhe burimet e djegies në zonat urbane janë kthyer në një problem për shëndetin e banorëve të Tiranës, duke shtuar praninë e dioksidit të azotit në ajër.

CO-Plan, organizatë mjedisore ka vendosur gjatë vitit pika monitorimi në zonat urbane dhe në raportin e fundit theksohet se 66.7 për qind e pikave të monitorimit, përgjatë vitit tejkalojnë vlerën referencë për dioksidin e azotit.

Në të njëjtën kohë, po në Tiranë, 98.3% e pikave të monitorimit rezultojnë mbi nivelin referencë për dioksidin e karbonit, çka reflekton intensitetin e lartë të aktivitetit urban dhe të trafikut.

Ndër ndotësit kryesorë që monitorohen në nivel kombëtar përfshihen grimcat e pezulluara PM2.5 dhe PM10, dioksidi i azotit (NO₂), dioksidi i squfurit (SO₂), monoksidi i karbonit (CO) dhe ozoni troposferik (O₃).

Rezultatet e monitorimit të cilësisë së ajrit gjatë vitit 2025 në gjashtë bashkitë e përfshira në studim (Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë dhe Shkodër) tregojnë se nivelet e ndotjes ndryshojnë ndjeshëm ndërmjet qyteteve dhe brenda zonave urbane.

Në përgjithësi, përqendrimet e grimcave të pezulluara PM2.5 dhe PM10 rezultojnë relativisht të ulëta në shumicën e pikave të monitorimit gjatë periudhës së matjes, ndërkohë që në disa zona urbane janë evidentuar nivele më të larta të gazrave të lidhur me proceset e djegies, si NO₂ dhe CO₂, veçanërisht pranë akseve kryesore rrugore dhe zonave me trafik të dendur.

Rezultatet tregojnë se trafiku rrugor dhe aktivitetet urbane përbëjnë burimet kryesore të ndotjes në qytetet e monitoruara, ndërsa në disa qytete ndikim mund të kenë edhe faktorë lokalë si aktivitetet industriale ose struktura urbane.

Në tërësi, të dhënat evidencojnë një shpërndarje të pabarabartë të ndotjes së ajrit në territorin urban.

NO₂ paraqet kontrast të fortë mes pikave, ku një pjesë e stacioneve shfaq vlera shumë mbi referencën 40, shpesh rreth 110–188, ndërsa në disa pika vlerat janë më të ulëta, rreth 12–41.

“Ky diferencim i qartë sugjeron se ekspozimi ndaj NO₂ në Tiranë është shumë i pabarabartë, me hotspot-e të lidhura me zona me ndikim të lartë nga djegia e karburanteve (trafik/rrjedha intensive), dhe pika më të qeta brenda lagjeve ose në zona më periferike”, thuhet në raport.

CO₂ rezulton shpesh mbi vlerën referente 350, me një pjesë të stacioneve që shfaqin rritje të moderuar dhe disa pika me vlera shumë të larta (700–900 dhe deri rreth 1700–1750 në disa stacione).

“Ky sinjal tregon se përveç intensitetit të aktivitetit urban, në disa pika mund të ketë edhe efekt të theksuar të akumulimit lokal (mikro-zona ku ajri qarkullon më pak), prandaj CO₂ shfaq hotspot-e më ekstreme se ndotësit e tjerë”, shpjegojnë ekspertët.

Pse NO₂ dhe CO₂ dalin të larta, por jo PM?

Në përgjithësi, NO₂ dhe CO₂ pasqyrojnë më drejtpërdrejt intensitetin e djegies (sidomos nga automjetet) dhe reagojnë shpejt ndaj trafikut dhe ndalesave.

Ndërsa PM2.5/PM10 varen më shumë nga burime të tjera (pluhur, rishpërndarje, ndërtime) dhe nga kushtet meteorologjike, prandaj, nëse në kohën e matjeve ka pasur më pak pluhur të ngritur ose kushte që favorizojnë shpërndarjen, grimcat mund të rezultojnë më të ulëta edhe kur gazrat mbeten të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë