Para

Socialistët propozojnë ndryshime në ligjin kundër pastrimit të parave

Nga Gazeta ‘SI’ – Një propozim i ri i paraqitur nga deputetët socialistë në Kuvend synon të forcojë masat për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të aktiviteteve të paligjshme.

Sipas draftit të dërguar në Kuvend, në ligjin ekzistuese bëhet një shtesë ku përcaktohet se disa organizata jofitimprurëse mund të konsiderohen me rrezik të lartë dhe për rrjedhojë mund t’i nënshtrohen kontrolleve më të rrepta.

Në rastet se institucionet financuare, por jo vetëm, kanë dyshime për një transaksion, mund ta raportojnë atë dhe nga raportimi, Agjencia e Inteligjencës Financiare mund të urdhërojë bllokimin ose ngrirjen e përkohshme të transaksionit ose veprimit financiar për një periudhë deri në 72 orë, kur ka dyshime të bazuara për pastrim parash, financim të terrorizmit ose financim të armëve të dëmtimit në masë.

Po ashtu, propozohet që çdo person fizik apo juridik që kryen funksione si aksionarë përfaqësues ose ofron persona të tretë për këtë rol, të jetë subjekt i detyrimeve të parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe armëve të dëmtimit në masë.

Ndryshimet në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave pritet të ulin rrezikun e përdorimit të sektorit financiar dhe organizatave jofitimprurëse për qëllime kriminale. Ato synojnë gjithashtu të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të rrisin aksesin e autoriteteve shqiptare në shkëmbimin e informacionit. Në të njëjtën kohë, këto masa pritet të përmirësojnë reputacionin e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të shmangin vendosjen e vendit në lista ndërkombëtare të pafavorshme, si lista gri e FATF-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë