Nga Gazeta ‘Si’- Mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi nuk hodhi në votim raportet, por lexoi projekt vendimin mbi kërkesën e SPAK. Me 82 vota pro, 47 kundër dhe asnjë abstenim kërkesa e SPAK u rrëzua.
Ajo që u vu re është fakti se në votim mungonin dy deputetë të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafaj.
Ndërkohë deputetët e opozitës protestuan, duke bllokuar foltoren me pankarta në duar kundër qeverisë.

Nga opozita Deputeti i PD Oerd Bylykbashi lexoi relatimin e raportit të PD-së për çështjen.
Bylykbashi tha se imuniteti nuk duhet të kthehet në mburojë apo si pengesë për drejtësinë, ose në të kundërt do ishte ndërhyrje brutale në kompetencat e pushtetit gjyqësor.
Ai përmendi provat që ka paraqitur SPAK, krahas kërkesës për arrestimin, duke theksuar se ish.zv kryeministrja ka tentuar të intimidojë dëshmitarët përmes personave të fortë dhe zyrtarëve të emëruar prej saj. SPAK, theksoi ai, ka paraqitur 80 prova ndaj deputetes.

“Më 16 dhjetor 2025, Kuvendi është vënë në lëvizje nga SPAK, ku ka kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin apo zëvendësimin e masës së sigurisë dhe pezullimin e një detyre a shërbimi publik, të zonjës Belinda Balluku.
Kjo kërkesë, shoqërohet nga relacioni përkatës i arsyetuar dhe me provat e plota, ku parashtrohet se Prokuroria ka marrë si të pandehur dhe nën hetim deputeten, se dyshohet se ka kryer në mënyrë të përsëritur veprën penale ‘shkelje e barazisë në tendera, kryer në bashkëpunim’. Pesë anëtarë të Këshillit, përfaqësues të pakicës parlamentare, rekomandojmë që deputetët të votojnë PRO për miratimin e kërkesës së SPAK-ut”, tha Bylykbashi.
“Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetutës, mbrohet veprimtaria e Kuvendit, jo deputetëve të veçantë. Në këtë kuptim vlen të theksohet edhe qëndrimi i Komisionit të Venecias, ku imuniteti nuk është privilegj personal, por qëllimi kryesor është mbrojtja e vetë parlamentit dhe funksionimi normal i tij”, argumentoi ai, qëndrimin e opozitës për rastin.
“Ndryshimet kushtetuese të vitit 2012 intensifikuan luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve. Një ndryshim i tillë erdhi si nevojë jo vetëm si orientim politik, por edhe si detyrim për Shqipërinë në kuadër të integrimit në BE dhe disa konventave ndërkombëtare”, shtoi Bylykbashi.
Duke cituar Komisionin e Venecias, sqaroi ekzaktësisht rolin e Kuvendit.
“Është detyrë e Kuvendit të verifikojë vetëm nëse ekzistojnë të gjitha kushtet për dhënien e autorizimit. Në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë, që deputeti të mos jetë peng i abuzimit politiko-partiak për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare”, theksoi ai.
Në të kundërt sipas tij, bëhet shqyrtim ligjor, në shkelje të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Në seancë mungoi Belinda Balluku, ndërsa në nisje të punimeve të Kuvendit ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama. Më pas u largua dhe u rikthye në momentin e votimit.

Nga socialistët, raportin e lexoi deputeti Ulsi Manja.
Në fjalën e tij, Manja ironizoi Bylykbashin duke thënë se nuk kishte dëgjuar raport më të detajuar.

Manja thotë se pretendimet e SPAK janë hipotetike dhe të pabazuara në prova apo fakte. Në raport thuhet se për sa kohë Belinda Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive, nuk ka më asnjë rrezik real të prishjes së provave.
Ai paraqiti të njëjtat argumente si në mbledhjen e grupit të PS të hënën kur socialistët mbajtën qëndrimin e tyre kundër arrestimit të Ballukut.
Socialistët, këmbëngulin se tashmë pa një funksion ekzekutiv, e shkarkuar edhe si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe nga numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku nuk mund të prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale, dhe rruga e SPAK për ta hetuar për pabarazi në tenderë është e hapur, pa nevojën e masës arrest me burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje