Gazeta Si – Në një takim me mësues dhe pedagogë me rastin e 7 Marsit, kreu demokrat Sali Berisha, deklaroi se sistemi arsimor po përballet me probleme serioze.
Sipas tij, ato janë pasojë e politikave të gabuara dhe vendimeve që ai i cilësoi si antikombëtare. Kryedemokrati tha se një nga aktet më të rënda, është bllokimi i doktoraturave në universitete.
“Shkaqet e kësaj gjendje katastrofale në arsim janë të mirëfillta antikombëtare. Dhe është naivitet në qoftë se ne nuk i vlerësojmë të tilla. Nuk mund të ketë akt më antikombëtar se sa të bllokosh me një urdhër doktoraturat në universitete. Do t’u them këtu, 46 vite më parë, jo doktoraturat e kolegëve të mi, por doktoratura të studentëve të mi, sepse në atë kohë studentët kishin të drejtë ose të jepnin provimin e shtetit, ose të mbronin një tezë, pra tezat e studentëve të mi unë i kam paraqitur në kongreset më prestigjioze ndërkombëtare, sepse ato të atilla ishin. Dhe kjo jo vetëm unë, por jam i sigurt edhe kolegë të tjerë. Pra, jo doktoraturat e mjekëve, por të studentëve, me studimet eksperimentale, ato ishin të këtij niveli”.
Berisha kritikoi edhe drejtimin e Akademisë së shkencave, duke deklaruar se ajo është kthyer në një objekt pazari politik mes Tom Doshit dhe Skënder Gjinushit.
“Dhe erdhi një frymë e paimagjinueshme, ku akademia tregtohej mes Tom Doshit dhe Skënder Gjinushit. Skënder Gjinushi i jepte partinë Tom Doshit, Tom Doshi blinte partinë dhe Rama i jepte akademinë. Ju, këtu përcaktuat me shumë përgjegjësi problematikat më të mëdha të arsimit parauniversitar, të arsimit profesional, të arsimit universitar”, – u shpreh Berisha.
Ai u ndal edhe te Belinda Balluku, teksa tha se doli ditën e djeshme serbes serbes duke bërë “heroinën” para ish stafit të saj, ndërsa shtoi me ironi se “midis hajdutëve, ai që vjedh më shumë është hero”.
“Shikoni se çfarë bën, del ajo, është bërë figurë e zezë në të gjithë botën, nuk ka media e madhe pa e lakuar Belinda Ballukun, Lubi Ballukun. Të gjitha mediat e botës. Nuk ka ngelur kancelari në botë që nuk e ka emrin e saj dhe dilte dje serbes-serbes dhe bënte ndarjen si heroinë e tyre. Po natyrisht midis hajdutëve, ai që vjedh më shumë është hero. Dhe ata e duartrokisnin”, – tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje