Drejtësia

A ka një derë të hapur për rikthimin e Gledis Nanos në krye të policisë?

Gazeta Si – Ministria e Brendshme ka nisur procedurat për të gjetur një drejtor të ri në krye të Policisë pas lirimit të Ilir Prodës, por një vendim gjykate e ka bërë të diskutueshëm rezultatin.

Ish-drejtori, Gledis Nano, u shkarkua nga detyra në 31 gusht të vitit 2022, ndryshe nga Proda, por kjo nuk e bën të pa mundur rikthimin e tij, pasi ai  ka fituar gjyqin ndaj shtetit.

Proda u lirua dhe qeveria nuk tha arsyet, edhe pse ca prej tyre ishin të nënkuptuara. Ndërsa Nano u  shkarkua me pretendimin se nuk kishte përmbushur objektivat.

Ditët e fundit, ish-drejtori Nano u shpreh  se nëse nuk do të ishte shkarkuar nga detyra, do t’i kishte mbaruar mandati në shtator 2026. Kjo deklaratë tregon se ai ka gjetur një derë për të rihyrë në krye të policisë.

Vendimi i Gjykatës

Gjykata Administrative e Apelit, për shkarkimin e Gledis Nanos, ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke e konsideruar të paligjshëm aktin e shkarkimit dhe duke detyruar shtetin në dëmshpërblim financiar për periudhën e mbetur të mandatit.

Vendimi gjyqësor ka karakter kompensues financiar dhe nuk përmban dispozitë të shprehur për rivendosje në detyrë.

Në aspektin juridik, mungesa e një urdhri specifik për rikthim në funksion, do të thotë se vendimi nuk prodhon efekt automatik për rikthimin e tij si Drejtor i Përgjithshëm.

Jurisprudenca administrative dallon qartë ndërmjet: shfuqizimit të aktit administrativ dhe pasojave konkrete që rrjedhin prej tij (rivendosje në detyrë apo vetëm kompensim).

Ligji për Policinë e Shtetit, parashikon një mandat 5-vjeçar për Drejtorin e Përgjithshëm, me mundësi riemërimi për një mandat të dytë.

Ai nuk parashikon mekanizëm automatik rikthimi në rast se ndërprerja e mandatit shpallet e paligjshme, përveç rastit kur kjo sanksionohet shprehimisht nga gjykata.

Në këto kushte, vendimi i gjykatës, i jep Nanos të drejtën e kompensimit financiar, pa fituar të drejtë e rikthimit në detyrë.

Kjo nuk përjashton mundësinë që ai të marrë pjesë në një procedurë të re konkurrimi, nëse shpallet vakant pozicioni dhe ai plotëson kriteret ligjore.

Rikthimi në detyrë do të ishte i mundur vetëm nëse do të ekzistonte një mekanizëm gjyqësor i qartë për rivendosje ose një akt i ri emërimi nga autoriteti kompetent.

Njeriu i amerikanëve?

Pas dorëheqjes së Ardi Veliut, falë “bekimit” të FBI-së amerikane, nuk pati shumë dyshime që ish-drejtori i Antiterrorit, Gledis Nano, të merrte detyrën e kreut të Policisë së Shtetit në vitin 2021.

Me një përvojë prej 17 vitesh në polici, 46-vjeçari me origjinë nga Skrapari dhe i lindur në Shkodër, është vlerësuar edhe prej amerikanëve: me të cilët ka pasur një bashkëpunim të gjatë dhe të ngushtë gjatë ushtrimit të detyrës.

I diplomuar në vitin 2017 në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico Virginia, ambasada amerikane në Tiranë, publikoi fotot e dekorimit shoqëruar me vlerësimin për Gledis Nanon, për merita të veçanta dhe ndihmën e dhënë për stafin e sigurisë së ambasadës. Me këtë rast pati edhe një ceremoni për Nanon krah ish-ambasadores Juri Kim.

Pas shkarkimit të tij, më 31 gusht, ambasada amerikane, në një postim në rrjetet sociale, shprehu vlerësimin ndaj tij si “një partner të fortë”.

Ndëra në një intervistë televizive, Juri Kim u shpreh se SHBA-të, “mendonim se ai ishte një partner i mirë për ne kur drejtonte njësinë kundër terrorizmit. Dhe më pas kur ishte drejtor i policisë. Nuk e prisnim shkarkimin”.

Dy muaj para shkarkimit të tij, Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) Christopher Wray, e priti Nanon në një takim gjatë vizitës së tij të fundit në Uashington DC.

Ambasada amerikane në Tiranë shpërndarë pamjet nga takimi dhe një mesazh ku shkruan se vizita e Gledis Nanos “përforcoi më tej bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Qeverisë së SHBA-ve”.

Për shkak të detyrës, Gledis Nano ka pasur një rol aktiv edhe në riatdhesimin e shqiptarëve prej kampeve në Siri.

Ka udhëtuar bashkë me kryeministrin Rama dhe ministrat e Brendshëm, Lleshaj e Çuçi, në Liban.

Në krye të Antiterrorit, ai përfundoi një cikël gati 5-vjeçar si drejtues edhe i operacioneve të tjera delikate, për shembull dëbimin e diplomatëve iranianë nga vendi ynë. Dosja e famshme e “Imamëve” është një tjetër çështje e hetuar prej tij.

Dy ngjarje për të cilat, vetë Nano pranon se kanë shënuar karrierën e tij gjatë periudhës së shkarkimit, janë aksidentit tragjik me skaf i 7-vjeçares, Jonada Avdiaj në Potam, ku autor dhe i shpallur fajtor nga gjykata ishte ish-polici, Arjan Tase dhe zhdukja e Ervis Martinajt në gusht 2022.

Për misterin e ish-“Mbretit” të lojërave të fatit, në media u raportua se Nano pati një takim me ish-policin Jeton Lami, i cili u arrestua asokohe se e shoqëronte me makinë biznesmenin Ervis Martinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë