Ekonomi

Rriten me 2.5% pagat e policëve, ushtarakë dhe mësuesve

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar tre vendime që parashikojnë indeksimin me 2,5% të pagave për mësuesit dhe stafin jomësimor në arsimin parauniversitar, për ushtarakët e Forcave të Armatosura dhe për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Sipas vendimeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave, rritja e pagave do të aplikohet për të gjitha pozicionet dhe gradat përkatëse dhe do të përballohet nga buxheti i institucioneve përkatëse për vitin 2026. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore, shpenzimet për rritjen e pagave mbulohen nga transferta e buxhetit qendror dhe të ardhurat e veta.

Vendimi i parë parashikon indeksimin e pagave për punonjësit mësimorë dhe jomësimorë në institucionet arsimore parauniversitare, duke synuar përmirësimin e standardit të jetesës dhe motivimin e stafit.

Vendimi i dytë përfshin ushtarakët aktivë, ku rritja e 2.5% aplikohet për pagën bazë për gradë dhe për shtesat për tituj akademikë dhe kualifikime shkencore.

Ndërsa vendimi i tretë për punonjësit e Policisë së Shtetit rrit pagën për gradë, duke përfshirë rritje specifike për gradat “Inspektor” dhe “Nënkomisar”, si dhe për gradat e tjera në strukturë.

Të tre vendimet hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe kanë efekt financiar që nga 1 janari 2026. Për zbatimin e tyre janë ngarkuar Ministria e Arsimit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë