Gazeta Si – Në një koment për këngën e Ermal Metës në Sanremo 2026, Matteo Salvini, ka vlerësuar kantautorin shqiptar, jo më shumë për performancën në skenë, sesa për integrimin e tij tashmë prej 30 vitesh në Itali.
Zv/kryeministri italian, njëkohësisht ministër i Infrastrukturës dhe Transporteve, vendosi të kthejë një lloj përgjigjeje ndaj vërejtjeve të artistit shqiptar në konferencën për shtyp të mëngjesit të një dite më parë.
Këngëtari, me origjinë nga Shqipëria, kishte thënë, duke folur për tekstin e këngës së tij, ku kishte marrë vlerësime të shumta: “Nëse Accademia della Crusca, zgjedh një këngë të shkruar nga një emigrant, si një nga më të mirat, bëjini vetes disa pyetje”. Pastaj Meta shtoi: “Unë jam i huaj, mos ia thoni Salvinit, ose do të ndihet keq”.
Por zëvendëskryeministri duhet ta ketë dëgjuar këtë dhe ndërhyri. Në një deklaratë zyrtare, ai përgëzoi Ermal Metën dhe “zotërimin e tij të përsosur të gjuhës italiane”, një “shembull integrimi në vendin tonë”.
Këngëtari 44-vjeçar u largua nga Shqipëria kur ishte 13 vjeç, duke u zhvendosur me familjen e tij në Bari, ku u rrit duke studiuar muzikë në një shkollë italiane. Ai është italian në fakt, edhe me dokumente, pasi ka përfunduar procesin e marrjes së shtetësisë.
Salvini më pas përsëriti: “Gjithmonë kam luftuar kundër emigrantëve të paligjshëm dhe kriminelëve dhe jam i sigurt se Ermal Meta e ndan këtë ndjenjë. Një përqafim popullit krenar shqiptar, rroftë Sanremo, gjuha italiane dhe muzika italiane”.
Ermal Meta mori vlerësime të larta edhe nga ikona e muzikës italiane, Adriano Celentano: “Është e pamundur që ti të mos të fitosh”, – shkroi artisti 88-vjeçar në rrjetet e tij sociale.
Në këngën e tij “Stella Stellina” në Sanremo 2026, Ermal Meta, tregon historinë e një vajze palestineze të vrarë në bombardimet e Gazës.
Gjatë konferencës për shtyp të organizuar nga RAI të enjten, 26 shkurt 2026, Meta thekson se blasfemia e vërtetë është zhdukja e Gazës dhe e Palestinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje