Nga Gazeta ‘SI’ – Fillimi i 2026-s ishte pozitiv për financat e shqiptarëve, të cilët, vetëm në janar, shtuan rreth 23 miliardë lekë kursim në banka. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat arritën një nivel rekord prej 1.5 trilionë lekësh, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me muajt e mëparshëm.
Rritja është veçanërisht e dukshme tek depozitat në monedhën vendase, me 3.7% nga dhjetori në janar dhe më shumë se 13% krahasuar me një vit më parë. Depozitat në lek tani zënë pothuajse të njëjtën peshë sa ato në valutë, që tradicionalisht kanë qenë dominuese. Aktualisht, 49% e kursimeve në banka janë në lek, ndërsa pjesa tjetër është kryesisht në euro.

Nga ana tjetër, depozitat në euro, të ndikuara edhe nga zhvlerësimi i vazhdueshëm i monedhës europiane ndaj lekut, u ulën me 37 milionë euro që nga fundi i vitit 2025.
Gjatë dy viteve të fundit, depozitat në banka kanë qenë alternativa më tërheqëse për qytetarët përballë një tregu të dobët të titujve të borxhit dhe mundësive të investimeve private, ende të pakta. Sidoqoftë, ndryshimet në normat e interesit mund të ndikojnë në zgjedhjet e kursimtarëve gjatë muajve në vijim.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave po shqyrton rritjen e kufirit të sigurimit të depozitave, nga 2.5 milionë lekë (të reja) në 10 milionë lekë, duke e bërë depozitimin më të sigurt dhe duke rritur besimin në sistemin bankar.
Ky trend tregon se shqiptarët po rrisin vetëdijen për menaxhimin financiar dhe mbrojtjen e kursimeve, ndërsa bankat mbeten një nga instrumentet kryesore të stabilitetit ekonomik në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje