Rend dhe Ligj

I akuzuar për grup kriminal dhe drogë, Durim Bami ekstradohet sot nga Dubai në Shqipëri

Gazeta Si – Një nga personazhet më të kërkuar të botës së krimit nga drejtësia, Durim Bami, pritet të ekstradohet këtë të enjte, 26 shkurt, nga Dubai në Shqipëri, pasi akuzohet në disa dosje të rënda penale.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar më 15 maj 2024 masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Burime zyrtare bëjnë me dije se procedurat e ekstradimit janë drejt përfundimit dhe sapo i kërkuari të mbërrijë në vend, pritet një njoftim i plotë me detaje shtesë mbi operacionin dhe rolin e tij në aktivitetet e dyshuara kriminale.

Durim Bami, i njohur ndryshe si “i forti i Niklës” është përfshirë në ngjarje të bujshme kriminale.

Ai u arrestua në Dubai të Emirateve të Bashkuara më 12 qershor të 2024-ës, i shpallur në kërkim pas finalizimit nga SPAK të asaj që njihet me emrin operacional “Metamorfoza nr. 3.“, ku u nxorën 50 urdhër arreste për persona nga 7 grupe kriminale.

Ai akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale e donin Bamin të vdekur.

Ndërsa Ervis Martinaj, i zhdukur prej gushtit të vittit 2022, kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e Bamit.

Sipas dosjes së SPAK, Bami akuzohet se ka siguruar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin, si dhe rezultonte i përfshirë në kultivimin e kanabisit në Tapizë të Niklës.

Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë