Gazeta Si – Punonjësi i policisë i komisariatit nr. 5 në Tiranë, Aurel Kaziu, është pezulluar nga detyra, pasi u kap një ditë më parë në pikën doganore të Merdares në Kosovë, duke kaluar 1 mln euro të padeklaruara.
Në një njoftim zyrtar, policia sqaron se më datë 24.02.2026, Kaziu dhe dy shqiptarë të Kosovës, janë kapur nga policia kufitare dhe doganore të Kosovës, në fshatin Merdarë, duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara tek autoritetet doganore, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni.
Sipas mediave të Kosovës, ata akuzohen nga Prokuroria Speciale si të dyshuar për veprën penale “pastrim parash”.
Ndërkohë, sipas raportimeve në media, 28-vjeçari është larguar në drejtim të Kosovës pasi ka mbyllur shërbimin e natës dhe në vijim kishte 2 ditë pushimi, duke mos njoftuar fare eprorët e tij për daljen jashtë kufijve.
Ai prej rreth 3 vitesh ishte pjesë e policisë, ndërsa edhe më herët është marrë me transport të mallrave nga Shqipëria në vende të Evropës dhe Britani të Madhe, dhe anasjelltas, te emigrantët shqiptarë atje.
Automjeti tip furgon që dyshohet se i përket policit Aurel Kaziut, u përzgjodh për kontroll të detajuar bazuar në analizën e riskut teksa po futej në territorin e Kosovës nga pikëkalimi kufitar i Merdarës.
Fillimisht mjeti është kontrolluar me skaner me rreze X, ku është evidentuar një hapësirë të modifikuar në dysheme.
Më pas, Policia Kufitare e Kosovës ka përdorur pajisje fibroskopike për kontroll më të thelluar dhe ka gjetur pakot e parave të cilat pas numërimit kanë rezultuar rreth 1 milion euro.
Autoritetet, si kosovare, ashtu edhe shqiptare, nuk janë ende në gjendje të përcaktojnë origjinën e këtyre parave apo destinacilonin final, por dyshimet janë se i përkasin një grupi kriminal shqiptar, i cili kishte zgjedhur rrugët tokësore për t’i transportuar ato në Shqipëri e Kosovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje