Ekonomi

Konfindustria: Dëmtimi i rrugës së Korçës goditje e rëndë për ekonominë dhe sigurinë

Nga Gazeta ‘SI’ – Dëmtimi i rrugës kombëtare të Korçës dhe mbyllja e përkohshme e akseve në juglindje të vendit, është goditja më e rëndë në kohë paqe për ekonominë si dhe sigurinë kombëtare.

Ky është qëndrimi i Konfindustria, e cila shton se në rast se zgjidhja e këtij problemi zgjat, ekonomia dhe bizneset rrezikojnë humbje të mëdha financiare, rritje kostosh me pasoja të rënda deri në falimentim.

“Qytetarët do të drejtohen për furnizime me ushqime dhe karburant në shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqi. Goditja ekonomike- financiare është me pasoja edhe më të rënda, nëse vlerësohet, se rrezikohet në afatgjatë vetë pozicioni i Shqipërisë si vend tranzit i besueshëm për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve Lindje-Perëndim”, thuhet në deklaratën publike.

Konfederata e Industrisë Shqiptare thotë se kjo ngjarje zhvlerëson edhe pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë dhe favorizon rajonin.

Aksi Librazhd-Prrenjas është i paaksesueshëm prej 5 ditësh tashmë, si pasojë e rrëshqitjeve masive të dherave dhe çarjes së rrugëve. Rrëshqitja e dheut është aktive dhe ka dëmtuar jo vetëm trasenë ekzistuese, por edhe segmentin e ri të Korridori VIII, i cili po ndërtohet paralel me aksin aktual, nga kompania ANK.

Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetim kryesisht për disa vepra penale, mes tyre “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tenderë”, “Shkatërrim i rrugës” dhe “Ndotje e ajrit, ujit apo tokës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë