Drejtësia

SPAK kërkon 13 vite burg për Rezart Taçin për pastrim paràsh të mafies italiane

Gazeta Si – SPAK kërkon 13 vite burg për biznesmenin Rezart Taçi, i cili akuzohet se do pastronte 18.3 mln euro të organizatës mafioze italiane “Cosa Nostra”.

Taçi ndodhet ende në kërkim dhe procesi ndaj tij po zhvillohet në mungesë, pasi ndaj tij është caktuar më herët masa e sigurisë “arrest në burg”.

Prokurori Klodian Braho kërkoi gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të rreth 18 milionë eurove të dyshuara si para të paligjshme.

SPAK kërkoi në 2023, shpalljen fajtor të dy njerëzve të afërt të biznesmenit të hidrokarbureve dhe dënimin e tyre me 16 vjet e 8 muaj burg në total për akuzat e pastrimit të 18 milionë eurove si të përfshirë në një grup kriminal.

Hetimi ndaj Taçit ishte pezulluar për një vit për shkak të mosgjetjes së tij, ndërsa mbrojtja ka kërkuar pushimin e çështjes, duke argumentuar se procedimi për bashkëpunëtorët e tij italianë, është veçuar dhe dërguar për gjykim në Itali.

Sipas dosjes së depozituar në Gjykatën e Tiranës, biznesmeni Taçi ka krijuar një skemë mashtrimi përmes TVSH-në.

Referuar hetimit të nisur në vitin 2018, përmes një shoqërie tregtare në maj-dhjetor 2013, Taçi kryente transaksione fiktive mes shoqërive tregtare të krijuara prej tij, duke përfituar padrejtësisht, pasi priste më shumë fatura shërbimi, se sasia e furnizuar.

Në verën e vitit 2024, SPAK mbylli hetimet ndaj tre bashkëpunëtorëve italianë të tij. Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës të dënojë për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, shtetasit italianë Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, si pjesë e grupit të Taçit.

Sipas SPAK tre të pandehurit italianë në bashkëpunim me Rezart Taçin, kunatin e tij, Artur Balla dhe ish-shoqëruesin e biznesmenit kanë organizuar një skemë komplekse financiare të paligjshme, të shtrirë në disa shtete, me qëllim pastrimin e miliona eurove.

Sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo dhe kontabilisti Fabio Petruzzella, të dy nën akuzë kanë mbërritur në Shqipëri në qershor të vitit 2021. Ata janë pritur nga bashkëpunëtorët e Rezart Taçit, Balla e Lilo.

Në ditët në vijim u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme, të konfiskuara tashmë me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Në dosjen e SPAK ka prova që tregojnë se për transferimin dhe fshehjen e shumave monetare, institucioni në fjalë përfitonte 16% të shumës monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Taçi është duke u gjykuar nga Gjykata e Posaçme në mungesë pasi ndodhet në kërkim që prej vitit 2022 dhe dyshohet se ndodhet në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë