Treg

Rivlerësimi i fundit / Edhe pse me tatim më të lartë, pritet pjesëmarrje më e madhe

Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e shpejtë e çmimeve të pasurive të paluajtshme në vend gjatë viteve të fundit, “nxiti” qeverinë të hapte një fushatë të re Rivlerësimi, me qëllim mbylljen e një shtegu të abuzimit fiskal. Qeveria parashikon interes të lartë për procesin, ndonëse do të kryhet me një normë të lartë tatimore 5%, për shkak të nevojës për të ”shmangur diferencat e mëdha midis vlerave të regjistruara dhe atyre reale”.

Ndonëse 5 përqindëshit është konsideruar dekuruajues për qytetarët nga Shoqata e Ndërmjetësve në real-estate, NAREA, ajo parashikon që rreth 500 mijë familje do të përfitojnë nga kjo fushatë, që sipas socialistëve, do të jetë e fundit.

Historiku i Rivlerësimeve

Për herë të parë Rivlerësimi u miratua nga qeveria e dytë e Berishës, me një normë tatimi 1%. Fushata zgjati dy vite, 2011-2013 dhe u vlerësua si sukses, me më shumë se 95 mijë prona të përfshira. Atëherë, arka e shtetit përfitoi rreth 40 mln euro nga procesi.

Fushata e dytë erdhi në fund të mandatit të parë të socialistëve, 2016-2017, me një tatim 2%. Interesi qe i ulët dhe më pak se 65 mijë prona u bënë pjesën, por të ardhurat për shtetin ishin më të larta, 57 mln euro.

Rivlerësimi i tretë u miratua në 2020-n, me tatim 3%, por për shkak të pandemisë u shty deri në 2022-shin.  Rreth 94 mijë prona u rivlerësuan, përkthyer në 139 mln euro fitim për arkën e shtetit, si pasojë dhe e tatimit më të lartë, por edhe rritjes së vlerës së pronave.

Kështu, norma e rritur në 5% dhe çmimet rekord në tregut të pasurive të patundshme, duket se për qeverinë do të amortizojnë “interesin e ulët” apo dekurajimin.

Një risi e kësaj fushate është përfshirja e amortizimit, dhe për çdo vit që ka kaluar qëkur e ke marrë pronësinë për herë të parë, çmimi i referencës zvogëlohet me 1%. Kjo zbritje aplikohet për të gjitha llojet e ndërtesave, por nuk mund të jetë më shumë se 30% e çmimit të referencës. Për tokat, çmimi minimal fiskal llogaritet për metër katror sipas hartës së vlerave, pra nuk ka zbritje si tek ndërtesat.

Sipas relacionit, Financat parashikojnë një “efekt pozitiv” në buxhet, por nuk ka një parashikim konkret.

“Rivlerësimi me çmimet e përafërta me tregun është një mekanizëm që ndihmon në uljen e informalitetit në transaksionet e pasurive të paluajtshme, duke e bërë të vështirë deklarimin fiktiv të vlerave më të ulëta gjatë shitblerjeve, një problem i vazhdueshëm në praktik”, argumenton ministri i Financave, Petrit Malaj.

Në këto kushte, kombinimi i çmimeve të rritura, presionit për formalizim dhe pritshmërisë se mund të mos ketë më rivlerësime të ngjashme në të ardhmen e bën të mundshme që skema me normë 5% të rezultojë më masivja deri më sot, pavarësisht perceptimit se është më e kushtueshmja për qytetarët.

Si do të kryhet Rivlerësimi

Rivlerësimi do të mund të bëhet me anë të një vlerësuesi të licencuar të pasurive të paluajtshme, ose nëpërmjet vetë Kadastrës.

Opsioni i parë lejon ekspertin të kryejë një punë të pavarur dhe të vlerësojë vlerën reale të pronës sipas tregut. Akti i vlerësimit pranohet nëse është të paktën sa vlera e çmimit të referencës ose më lart dhe i bashkëngjitet aplikimit, bashkë me licencën e ekspertit.

Opsioni i dytë, i jep mundësinë pronarëve që nuk munden të angazhojnë një ekspert privat, të rivlerësojnë pronën me ndihmën e Kadastrës e cila ndjek të njëjtat hapa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë