Nga Gazeta ‘SI’ – Numri i pagesave elektronike dhe transaksioneve të kryera online, ka arritur nivele rekord, gjatë vitit 2025, duke dëshmuar një ndryshim edhe në sjelljen konsumatore.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në 2025-n u regjistruan 2.59 mln transaksione online apo siç njihet ndryshe “homebanking”, me një rritje 23% nga viti 2024.
Krahasuar sipas vlerës, në 2025-n shqiptarët shpenzuan 345 mld lekë më shumë se një vit më parë (+14%) ose 2.73 triliardë lekë në total.
Megjithatë, analiza tregon se shuma mesatare për një transaksion ka rënë. Një transfertë mesatare në 2024-n ishte 255 mijë lekë, ndërsa në 2025-n 237 mijë lekë, një rënie prej rreth 7%. Ky fenomen tregon një ndryshim interesant në sjelljen e konsumatorëve: numri i transaksioneve po rritet më shpejt se vlera totale, që sugjeron se shumë individë po përdorin mjetet elektronike për pagesa më të vogla dhe më të shpeshta, edhe si pasojë e zgjerimit të tregut të dyqaneve online.
Sipas Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit, të publikuar në dhjetor 2025, tendenca e përdorimit të internetit për tregti mbetet në rritje në nivel vjetor. Më shumë se 45% e shqiptarëve kanë kryer të paktën një blerje online gjatë 12 muajve të fundit, duke u rritur me 3 pikë përqindje. Rrobat dhe dërgesat e ushqimit mbeten shërbimet kryesore që dominojnë këtë treg, me përkatësisht 97% dhe 61% të preferencave.
Përveç blerjeve, aktivitete të tjera në internet kanë pësuar rritje të konsiderueshme. Kërkimi i informacioneve për mallra dhe shërbime u rrit me 10.7 pikë përqindje, shërbimet e-banking me 7.7 pikë përqindje dhe përdorimi i rrjeteve sociale me 5.7 pikë përqindje, duke dëshmuar një varësi gjithnjë e më të madhe të qytetarëve nga shërbimet digjitale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje