Ari u rrit dhe dollari u dobësua të hënën, pasi Donald Trump rriti pasigurinë në tregtinë globale duke vendosur një tarifë të re 15% për partnerët tregtarë të SHBA. Masa vjen pasi Gjykata e Lartë e SHBA e shpalli të paligjshme politikën e tij të mëparshme të tarifave.
Presidenti amerikan reagoi ndaj vendimit të gjykatës duke njoftuar tarifën e re, që hyn në fuqi të martën. Ajo bazohet në ligjin tregtar të vitit 1974 dhe i jep atij të drejtën të vendosë kufizime importi deri në 150 ditë. Gjykata tha se Trump kishte tejkaluar kompetencat kur përdori fuqi emergjente për tarifat e vendosura vitin e kaluar.
Në tregtimin e hershëm në Londër, ari, një aset i sigurt, u rrit 0.6% në 5.133 dollarë për onz, ndërsa dollari ra 0.3% kundrejt valutave kryesore. Kontratat futures tregonin rënie për bursat amerikane: S&P 500, 0.5% dhe Nasdaq 100, 0.7%.
Në Europë, indeksi Stoxx 600 ra lehtë me 0.3%, me aksionet e teknologjisë më të dobëtat. Yield-et e obligacioneve 10-vjeçare amerikane zbritën në 4.07%, ndërsa bitcoin ra 2.7%.
Analistët thonë se tregjet po reflektojnë pasiguri, sepse nuk dihet se si do të zbatohen tarifat e reja. Megjithatë, niveli i përgjithshëm i tarifave është disi më i ulët se në politikën e mëparshme, çka zbut ndikimin negativ për aksionet dhe ekonominë.
Në Azi, bursat u rritën pasi disa eksportues mund të përfitojnë nga tarifat më të ulëta. Hong Kongu u rrit 2.4%, Koreja e Jugut 0.7% dhe Tajvani 0.5%.
Kina tha se kundërshton tarifat e njëanshme të SHBA dhe po vlerëson ndikimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, duke shtuar se do të mbrojë interesat e saj tregtare.
Lufta tregtare e nisur nga Trump në prill tronditi tregjet financiare, por më pas bursat u rikuperuan dhe arritën nivele rekord, të mbështetura nga bumi i inteligjencës artificiale./FT
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje