Ne rrjet

‘Me duar e këmbë mbi një grua’! Fotoja e ish-Princit dhe email-et me Epsteinin

Ish-princi, ish-Duka i Jorkut, është përsëri në qendër të polemikave për marrëdhënien e tij me pedofilin që vdiq në burg. Epstein gjithashtu sugjeroi që të takonte një grua ruse: "Ajo është e besueshme dhe ka adresën tuaj të email-it”

Gazeta Si – Fotot që e tregojnë atë me “duar e këmbë” mbi trupin e një gruaje, mesazhet e shumta, toni i tij pajtues dhe i dashur: dokumentet e reja mbi Jeffrey Epstein e ndërlikojnë më tej situatën tashmë të brishtë të Andrew Mountbatten-Windsor, ish-Princit dhe vëllait të vogël të Mbretit Charles.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, del se ai gënjeu kur pohoi se kishte ndërprerë të gjitha kontaktet me financierin amerikan, pasi u shpall fajtor për nxitje prostitucioni me të mitur dhe vepra të tjera penale seksuale.

Më 29 shtator 2010, Epstein, i cili kreu vetëvrasje në një burg të Nju Jorkut 9 vjet më pas (2019), i shkroi Princit duke e informuar për udhëtimin e tij të ardhshëm në Londër. “Jam i lumtur t’ju mirëpres në BP”, u përgjigj Andrew.

BP supozohet se ishte Pallati Buckingham, rezidenca kryesore e familjes mbretërore në Britaninë e Madhe. “Ejani me këdo që dëshironi; unë do të jem këtu dhe i lirë nga ora 16:00 deri në 20:00. Do të kemi shumë privatësi”.

Epstein ishte shpallur fajtor në vitin 2008 dhe ishte dënuar me 18 muaj “arrest shtëpiak” (ai kreu 13 muaj). Në dhjetor 2010, Epstein e informoi Andrew-n se kishte “një mik” që Princi mund të ishte i interesuar ta takonte.

Andrew u përgjigj duke theksuar se ai ishte në Gjenevë, Zvicër, por se do të ishte “i lumtur ta takonte”. Ai kërkoi më shumë detaje. “Ajo është 26 vjeçe, ruse, inteligjente, e bukur dhe e besueshme”, – u përgjigj Epstein.

Miqësia e ngushtë midis fëmijës së tretë të ish-Mbretëreshës Elizabeth, me Epstein dhe Ghislaine Maxwell, partnerja e ish-financierit, e cila u dënua me 20 vjet burg, ishte e njohur mirë, ashtu si edhe fakti që Andrew e kishte ftuar çiftin të bashkohej me të në rezidenca të ndryshme mbretërore, nga Balmoral në Windsor dhe në Pallatin Buckingham.

Grupi i ri i dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, tregon gjithashtu se, ndryshe nga ajo që pretendojnë ata, Princi vazhdoi të kultivonte marrëdhënie me çiftin dhe t’u ofronte mikpritje në pronat Windsor edhe pas dënimit të Epstein, ashtu siç bëri edhe gruaja e Princit, Sarah Ferguson, e cila i shkroi Epsteinit në vitin 2010 duke i kërkuar nëse mund të pinte një filxhan çaj me të.

Tetorin e kaluar, Andrew u hoq nga të gjithë titujt e tij mbretërorë dhe, nga Princ, Dukë dhe Madhëria e Tij Mbretërore, u rikthye në të qenit një qytetar normal, me një emër të plotë.

Mbreti Charles e dëboi atë gjithashtu nga rezidenca Windsor, Royal Lodge, ku vëllai i tij ka jetuar që nga viti 2004.

Gjithashtu problematik është pozicioni i ish-ambasadorit të Britanisë së Madhe në Uashington, Peter Mandelson, bashkëshorti i të cilit, Reinaldo Abila da Silva, i kërkoi Epstein një kredi në vitin 2009 – thuhet në dokumente – për t’u regjistruar në një kurs osteopatie, duke marrë 10,000 £ prej tij.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë