Politike

‘Rama një lopë e çmendur’, Berisha: Po korrupton dhe gjykatës kushtetues

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi grupin parlamentar ku tha se gjendja në Shqipëri sipas tij po bëhet çdo ditë edhe më e rrezikshme.

Ai e konsideroi sjelljen e kryeministrit Edi Rama si “lopë e çmendur”.

Duke iu referuar amendamenteve të propozuara nga kryeministri Edi Rama për Kodin e Procedurës Penale, Berisha tha se sipas tij po krijon barriera speciale për të mbrojtur veten.

Sipas kryedemokratit, ligji i propozuar nga socialistët bie në kundërshtim me Kushtetutën.

“Kushtetuta në frymën e saj, dhe ligji në zbërthim të Kushtetutës, nuk pranon pezullimin e të zgjedhurve direkt nga sovrani. Pra, çfarë bën Kushtetuta? Pse ligji e ndalon këtë? Sepse ligji i referohet frymës dhe nenit të sovranitetit kushtetues. Sovranitetit që buron nga populli. I zgjedhuri nga populli nuk pezullohet, kryeministri pezullohet sepse nuk zgjidhet nga populli. Atyre që mund të thonë, jo u them, ka kryeministra që zgjidhen direkt nga populli. Po. Ai ka emrin, kur bëhen zgjedhjet, kryeministri votohet direkt si kryeministër. Janë jo një, por disa vende të botës.

Kurse ky është i zgjedhur nga presidenti. Nuk ka asnjë mburojë nga pezullimi. Ky po shkel Kushtetutën. Pra, e thashë edhe njëherë, duhet të jesh edhe njëherë si duhet të jesh si ai që të mos lexosh Kushtetutën. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon se ai me çdo kusht kërkon të korruptojë gjykatësit kushtetues, të cilët nuk mund ta pranojnë kurrë një nen të tillë”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se qytetarët duhet të marrin fatin e vet në dorë tashmë, ndërsa Rama duhet të japë dorëheqjen.

“Sot qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e vet, fatin e Shqipërisë. Lopa e çmendur duhet të përcillet aty ku e ka vendin. Ky në vend se të japë dorëheqjen menjëherë, të largohet urgjentisht nga pushteti po bën gjithçka. Edhe plumbat mbi protestuesit janë me urdhër të tij”, njoftoi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë