Ne rrjet

Francë, vrasja e një aktivisti të ekstremit të djathtë kthehet në çështje politike

Quentin Deranque vdiq pas dhunës barbare në rrugë nga një bandë, duke prekur partinë e ekstremit të majtë, La France Insoumise

Gazeta Si – Të hënën, zyra e Prokurorit të Lionit në Francë, hapi një hetim për vrasje të paqëllimshme për vdekjen e Quentin Deranque, një aktivist 23-vjeçar i ekstremit të djathtë, i cili vdiq në spital të shtunën dy ditë pas një rrahjeje të dhunshme.

Prokurori Thierry Dran, tha se policia po kërkon të paktën gjashtë persona të akuzuar për sulmin ndaj Deranque, ndërsa fytyra e tij ishte e mbuluar.

Ndërkohë, çështja ka marrë dimensione politike kombëtare, të përqendruara në La France Insoumise (LFI), partinë e Jean-Luc Mélenchon, të cilën qeveria franceze e klasifikoi së fundmi si një parti e ekstremit të majtë.

LFI akuzohet për përdorimin e retorikës që nxit dhunën dhe për afërsinë me qarqet nga të cilat vijnë ata që janë përgjegjës për dhunën.

Sulmi ndaj Deranque ndodhi të enjten e kaluar përpara Institutit të Studimeve Politike (IEP) në Lion, ku deputetja e LFI-së, Rima Hassan, e njohur për pikëpamjet e saj të forta pro-palestineze, po mbante një leksion.

Prokurori i Lionit, Thierry Dran, gjatë konferencës për shtyp të së hënës mbi rastin Quentin Deranque

Prokurorët kanë rindërtuar se si, për të protestuar për praninë e saj, disa aktivistë nga kolektivi Némésis organizuan një demonstratë dhe u kërkuan disa miqve të tyre të ishin të pranishëm për t’i mbrojtur nga sulmet e mundshme: midis tyre ishte edhe Quentin Deranque.

Némésis është një shoqatë feministesh të ekstremit të djathtë që mbështesin ndalimin e emigracionit për të mbrojtur gratë franceze nga dhuna.

Sipas rrëfimit të prokurorit, gjatë demonstratës, disa individë të maskuar u shfaqën dhe sulmuan aktivistët, madje duke ua grisur edhe banderolën. Rreth gjysmë ore më vonë, grupi i Deranque u përlesh me rreth njëzet individë të maskuar.

Një video e filmuar nga dëshmitarët tregon një grup që sulmon tre persona në tokë, dy prej të cilëve arrijnë të shpëtojnë, ndërsa Deranque mbetet në tokë.

Qarqet e ekstremit të djathtë dhe aktivistët e Némésis të pranishëm kanë pohuar se sulmuesit ishin anëtarë të Jeune Garde, një grup antifashist i ekstremit të majtë i themeluar nga Raphaël Arnault, i cili ka qenë anëtar i partisë France Insoumise që nga viti 2024.

Jean-Luc Mélenchon dhe Raphaël Arnault përqafohen gjatë një demonstrate kundër vendimit të Ministrit të Brendshëm për të shpërndarë Jeune Garde dhe kolektivin Urgence Palestine, në maj 2025 në Paris

Grupi pohon se nuk mund të mbahet përgjegjës për sulmin, sepse ka ndërprerë të gjitha aktivitetet që kur qeveria franceze kërkoi shpërbërjen e saj në vitin 2025, dhe organizata ka apeluar në Gjykatën e Lartë Administrative Franceze.

Në të njëjtën kohë, një nga asistentët parlamentarë të Arnault dhe një anëtar i Jeune Garde, u identifikua nga aktivistët e Némésis si një nga sulmuesit dhe, ndërsa mohoi përfshirjen e tij, dha dorëheqjen.

Përveç politikanëve të ekstremit të djathtë, ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez ka deklaruar gjithashtu se “është e qartë se e majta ekstreme veproi”, ashtu si edhe ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin.

Zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon deklaroi se La France Insoumise mban “përgjegjësi morale” për vrasjen e Deranque.

Kreu i Partisë Socialiste të qendrës së majtë, Raphaël Glucksmann, i tha radios RTL se është “e paimagjinueshme” që partia e tij të bëjë aleancë me LFI në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Kreu i LFI-së, Jean-Luc Mélenchon, i hodhi poshtë akuzat, duke u përpjekur të zhvendoste fokusin te dhuna që anëtarët e partisë së tij vuajnë vazhdimisht nga grupet e ekstremit të djathtë, por ai nuk përmendi Jeune Garde, të cilën më parë e kishte mbrojtur publikisht nga akuzat për ekstremizëm dhe dhunë.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë