Ka ndodhur

Ekstradohen 3 persona nga Danimarka, Franca dhe Italia të shpallur në kërkim

Gazeta Si – Tre persona janë ekstraduar këtë të hënë në Shqipëri nga Danimarka, Franca dhe Itralia, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëta të akuzuar për vepra të ndryshme penale, që nga pastrimi i parave e deri te mashtrimi.

Nga Danimarka u ekstradua 28-vjeçari me iniciale D. M., i lindur në Elbasan, i cili kërkohej nga drejtësia shqiptare për pastrim parash. Ky shtetas ka një profil të lartë kriminal, pasi më parë është dënuar me 13 vite burg në Norvegji për trafik droge si pjesë e një organizate kriminale, si dhe për falsifikim dokumentesh e vjedhje energjie.

Hetimet e nisura në Elbasan, të bazuara edhe në informacionet nga autoritetet norvegjeze, zbuluan pasuri dhe prona të pajustifikuara në emër të tij dhe familjarëve të tij.

Ndërkohë, nga Franca u soll në vendin tonë shtetasi amerikan Ch. R., 25 vjeç. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 8 muaj burgim për mbajtje të armëve të ftohta pa leje.

Rasti i tij daton në qershor të vitit 2024, kur gjatë kontrolleve në aeroportin e Rinasit, në valixhet e tij u gjetën dhe u sekuestruan dy thika metalike.

Personi i tretë i ekstraduar është 39-vjeçari me iniciale G. M., i cili u soll nga Italia. Gjykata e Fierit kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale të mashtrimit.

Sipas akuzës, ky person i ka marrë një shumë parash një qytetari, duke e gënjyer se do ta ndihmonte të kalonte në mënyrë të paligjshme drejt Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë