Nga Gazeta ‘SI’ – Një analizë e fundit nga OECD, gjen se tregu ushqimor në Shqipëri ka probleme të mëdha sistemike, që mund të cënojnë konkurrencën dhe të dëmtojnë konsumatorët.
Studimi thotë se Shqipëria është shumë e varur nga importet, që i bën produktet ushqimore, bazë për familjet, më të ekspozuara ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare dhe prekin në mënyrë direkte buxhetet e tyre.
Gjithashtu, vërehet fuqi asimetrike në treg, pasi zinxhirët e mëdhenj të shitjes me pakicë kanë pozita negociuese më të forta krahasuar me prodhuesit dhe distributorët e vegjël, çka mund të çojë në praktika të padrejta tregtare. Tregjet përballen edhe me informalitet dhe mungesë transparence, pasi operatorët informalë mbeten aktivë në pjesë të zinxhirit të furnizimit, duke vështirësuar monitorimin e çmimeve dhe zbatimin e rregullave.
Për më tepër, prodhuesit e vegjël hasin barriera që lidhen me logjistikën, certifikimin dhe shpërndarjen, të cilat i pengojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të konkurrojnë në mënyrë efektive në tregjet e shitjes me pakicë. Po ashtu, kuptimi i kufizuar i të drejtave të konsumatorit dhe i parimeve të konkurrencës ul presionin publik për transparencë dhe çmime të drejta.
“Në fund, një treg ushqimor konkurrues dhe transparent nuk është vetëm një objektiv ekonomik, por edhe një angazhim social për të siguruar që konsumatorët shqiptarë të kenë akses në produkte thelbësore me çmime të drejta dhe efikase”, argumenton OECD.
Hetimet e kryera nga Autoriteti i Konkurrencës gjetën se importi është shkaku kryesor i rrijtes së çmimeve të shportës
Hetimi i thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shumicës së vajit vegjetal (vaj luledielli) (2022–2023)
Në vitet 2022–2023, Autoriteti i Konkurrencës hetoi tregun e vajit vegjetal, ku kërkesa në Shqipëri mbulohet plotësisht nga importet. Operatorët kryesorë veprojnë kryesisht si importues dhe paketues, pasi rafineritë vendase të përpunimit janë mbyllur ose falimentuar. Rreth 80 ndërmarrje importojnë vaj të rafinuar, në formë të ambalazhuar ose rifuxho, që më pas paketohet ose shitet me shumicë. Analiza e çmimeve tregoi rritje në janar–shkurt 2022 për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve të importit, por çmimet midis operatorëve nuk ishin identike. Në përfundim, nuk u konstatuan sjellje të koordinuara në tregtimin e vajit vegjetal.
Monitorimi i tregut të orizit dhe sheqerit (2023)
Në korrik 2023 u përfundua monitorimi i tregut të orizit dhe sheqerit. Megjithëse pati luhatje të ndjeshme çmimesh, nuk u gjetën prova për koordinim ose praktika të ndaluara. Ndryshimet u atribuuan kryesisht kostove më të larta të inputeve bujqësore dhe transportit.
Monitorimi i tregut të bukës (2024)
Gjatë vitit 2024, vëmendja u përqendrua te prodhimi dhe shitja e bukës, produkt bazë për stabilitetin e çmimeve. Për shkak të rritjes së kostove të energjisë dhe miellit, u verifikuan praktikat e mundshme abuzive. U konstatua konkurrencë e mjaftueshme midis furnitorëve dhe produkteve (miell vendas dhe i importuar), por u theksua nevoja për mbikëqyrje të vazhdueshme për të shmangur rritje të koordinuara çmimesh.
Monitorimi i produkteve të shportës gjatë festave (dhjetor 2024 – janar 2025)
Në periudhën 1 dhjetor 2024 – 15 janar 2025 u monitoruan produkte si buka, mielli, orizi, vaji, vezët, kafeja dhe pijet joalkoolike. Çmimet shfaqën rritje sezonale, por pa prova për koordinim antikonkurrues. Monitorimi parandalues dërgoi sinjal se çmimet e produkteve bazë mbeten nën vëzhgim institucional.
Hetimi në tregjet e grumbullimit dhe shumicës së frutave e perimeve (2025)
Në 2025 u hetuan tregjet e frutave dhe perimeve në disa qarqe. Tregu dominohet nga shumë operatorë të vegjël dhe pak ndërmjetës të mëdhenj, me përqendrim të ulët në përgjithësi, por rol më të madh të grumbulluesve në Fier dhe Lushnjë. Konkurrenca ndikohet nga sezonaliteti, importet, kostot logjistike dhe informaliteti; kontratat e eksportit shpesh përcaktojnë çmimet. Prodhuesit e vegjël përballen me barriera hyrjeje (mungesë magazinimi frigoriferik, financimi dhe varësi nga ndërmjetësit). U rekomandua rritja e transparencës së çmimeve, përmirësimi i infrastrukturës së grumbullimit/magazinimit, forcimi i kontratave dhe zbatimi i rregullave të konkurrencës, përfshirë harmonizimin me direktivën e BE për praktikat e padrejta tregtare. Komisioni i Konkurrencës vijon shqyrtimin pas seancave dëgjimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



