Arsim

Dhuna nëpër shkolla/ Kumbaro-opozitës: Fenomen që përjetohet kudo! Ju përdorni të miturit në protesta

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro në përgjigje të interpelancës së kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho dhe deputeti Erald Kapri lidhur me sigurinë në shkolla, vuri theksin tek rritja dhe garantimi i sigurisë për nxënësit.

Xhixho bën me faj qeverinë për mosmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë dhe përdorimin e rasteve për qëllime politike.

“Rastet e fundit, tragjedia në Durrës, një gjimnazist u godit me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar. Në Shkodër një përleshje masive mes adoleshentëve. Në Kamës dy 16-vjeçarë mbetën të plagosur. Armët e ftohta, konsumi  i drogës janë bërë shqetësime të zakonshme. 2750 raste dhune janë raportuar në shkollat e vendit 2022-2023. Qeveria nuk ka reflektuar dhe nuk ka marrë masa reale.

Fatkeqësia e Martin Canit u përdor për propagandë. Sot shqiptarët duan përgjigje, jo propagandë dhe jo censurë”, tha Xhixho.

Kumbaro në replikë tha se sipas saj fenomeni i dhunës tek të miturit nuk është problem i izoluar por përjetohet kudo dhe akuzoi opozitën se po i përdor fëmijët në protesta.

Mandej, teksa prezantoi planin kombëtar për shkollat ajo foli për rritjen e numrit të punonjësve socialë nëpër shkolla, të oficerëve të sigurisë dhe të programeve sociale të ngritura me qëllim mbështetjen e edukimit dhe të uljes apo izolimit të rasteve problematike.

“Prania e oficerëve të sigurisë është forcuar ndjeshëm dhe po shoqërohet me standarde të reja pune dhe etike profesionale.

Këta oficerë nuk janë më thjesht figura kontrolli, por pjesë e mekanizmit të parandalimit dhe ndërhyrjes së hershme ne bashkëpunim te ngushte me mësues, psikologe e punonjës sociale.

Megjithëse shkolla shqipe ka një traditë të gjatë, Oficeri i Sigurisë është figure e re, nuk ka qenë tradicionalisht një figurë e shkollave tona. Ashtu sikundër edhe punonjësit psiko-socialë! Dhe pikërisht tre javë më parë, shpallëm 62 vende të lira pune për Oficerë Sigurie pranë shkollave tona. Paralelisht, është ndërtuar një strukturë e qartë koordinimi mes drejtorive arsimore dhe Policisë së Shtetit, për të garantuar reagim në kohë reale dhe shkëmbim të vazhdueshëm informacioni.

Vendimi për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në ambientet shkollore nuk duhet parë si masë ndëshkuese, por si një ndërhyrje edukative dhe mbrojtëse. Një tjetër shtyllë themelore e planit ka qenë fuqizimi i shërbimit psiko-social në shkolla. Po ashtu është investuar në ndërtimin e rrjeteve të mbështetjes digjitale dhe mekanizmave të komunikimit të shpejtë.

Platforma SMIP – ku prindërit hyjnë në çdo kohë dhe kontrollojnë në kohë reale ecurinë e fëmijëve të tyre në shkollë – si edhe Fletorja e Komunikimit Online kanë krijuar një urë të drejtpërdrejtë mes shkollës dhe familjes, duke e bërë më të lehtë identifikimin e problematikave dhe adresimin e tyre në kohë”, tha ministrja Kumbaro”, shtoi po ashtu Kumbaro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë