Fitimet e Mercedes-Benz u përgjysmuan në vitin 2025, pasi prodhuesi gjerman i makinave premium u përball me rënie të fortë të shitjeve në Kinë, tarifat tregtare tw Trump dhe humbje nga kursi i këmbimit.
Fitimi para interesave dhe taksave (EBIT) ra me 57.2% në 5.8 miliardë euro në vitin 2025, nga 13.6 miliardë euro një vit më parë, duke mbetur edhe pak nën pritshmëritë e analistëve. Fitimi neto ra me 48.8%, në 5.4 miliardë euro, nga 10.4 miliardë euro në vitin 2024.
Shitjet e automjeteve ranë me 9.2% gjatë vitit, të ndikuara kryesisht nga një rënie prej 19% në Kinë, ku prodhuesit vendas po konkurrojnë gjithnjë e më fort markat e huaja me modele elektrike premium.
Marzhi i fitimit në divizionin e automjeteve zbriti në 5%, nga 8.1% një vit më parë, duke mbetur dukshëm nën objektivat e mëparshëm të kompanisë.
Drejtori ekzekutiv Ola Källenius kishte orientuar strategjinë e kompanisë drejt modeleve të nivelit të lartë, me synimin për të rritur marzhet e fitimit, pas ndarjes së divizionit të kamionëve në vitin 2021. Strategjia pati sukses fillestar në vitin 2022, kur çmimet e makinave u rritën ndjeshëm pas pandemisë, por kompania ka hasur vështirësi në ruajtjen e këtij momentumi.
Sipas Mercedes-Benz, rezultati i divizionit të automjeteve u përmirësua nga kursimet prej 3.5 miliardë eurosh në kosto, por kjo nuk mjaftoi për të kompensuar goditjen nga rënia e volumit të shitjeve dhe tarifat, të cilat arritën në rreth 1 miliard euro në vitin 2025.
Ndikimi i tarifave u tejkalua nga efektet negative të kursit të këmbimit, që arritën në afro 1.5 miliardë euro në divizionin e automjeteve.
Kompania po mbështet shpresat për rimëkëmbje në një ofensivë të re produktesh, duke planifikuar prezantimin e 40 modeleve të reja mes viteve 2025 dhe 2027, të bazuara në platforma të përditësuara softuerike.
Për vitet në vijim, Mercedes synon një marzh operativ prej 8–10% në divizionin e automjeteve, ndërsa për vitin 2026 parashikon një nivel më modest, mes 3–5%.
Pas një viti të trazuar për industrinë automobilistike, Källenius deklaroi se kompania është “plotësisht e përgatitur për vitin 2026”, duke theksuar se po ecën përpara me një plan të qartë dhe një portofol produktesh konkurrues./FinancialTimes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



