Gazeta Si – Një bankë e nivelit të dytë në Tiranë, në zonën e ish-parkut të autobusëve, është tentuar të grabitet me armë zjarri nga Bardhyl Fusha, 58 vjeç nga Gramshi, i cili dyshohet të jetë një sipërmarrës në fushën e ndërtimit.
Sipas policisë, ai ka qëlluar një herë me kallashnikov në dysheme për të trembur punonjësit dhe qytetarët, ka arritur të marrë një shumë parash te arka, por është arrestuar nga dy efektivë (siç shihet në video), sapo ka dalë nga godina. Për fat të mirë, nga të shtënat nuk ka persona të dëmtuar.



Ngjarja ndodhi rreth orës 11:15 në rrugën “Muhedin Llagami”, që lidh Rrugën e Kavajës me urën e ish-Nesharakut, zonë e frekuentuar dukshëm në atë orar.
Sipas burimeve, 58-vjeçari, i cili ka vepruar i vetëm pa asnjë bashkëpunëtor, është është futur i pamaskuar me një çantë sportive në bankë, ku brenda saj kishte kallashin.
Menjëherë ka shkuar tek arka dhe ka arritur që të marrë shumat e parave, të cilat kanë qenë para shqiptare. Gjithnjë sipas burimeve, një qytetar, i cili ndodhej brenda bankës ka arritur që të lajmërojë policinë.

Patrulla ka qenë afër vendit të ngjarjes dhe sapo mbërriti, ka kapur autorin duke dalë nga dera e bankës. Menjëherë Fushës i është sekuestruar çanta, ku brenda saj janë gjetur lekët dhe arma e zjarrit. Sipas deklaratave paraprake të punonjësve të bankës, janë marrë diku te 2 milionë lekë të reja.
Siç shihet në pamje, autori është i pamaskuar dhe në momentin e arrestimit, një polic qëndron përballë tij me armë në dorë, ndërsa tjetri i vendos prangat.


Sipas deklartave të para në polici, Fusha ka pohuar se është ndërtues dhe për shkak të veprimtarisë së tij ka borxhe ndaj palëve të treta, të cilat nuk ka mundur t’i shlyejë. Pikërisht kjo situatë financiare e ka shtyrë që të tentojë grabitjen e bankës.
Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, mësohet se 58-vjeçari ka qenë i proceduar disa herë pas denoncimeve nga klientët për mosshlyerje pagesash. Dyshohet se ai ka borxhe të pashlyera dhe për këtë qëllim mund të ketë tentuar të grabisë bankën.


Forca të shumta policore vazhdojnë hetimet për të zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes.
“Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri, në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Autori i dyshuar është shoqëruar në Komisariat. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit. Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin”, njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


